1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Bullgarët sulmojnë refugjatët e ngratë sirianë

Më të lexuarat

Analistët thonë se një valë e kohëve të fundit në sulmet kundër refugjatëve sirianë në Bullgari është një rezultat i ambicjeve politike të lëvizjeve nacionaliste që nuk do të triumfojnë.

Organizatat ndërkombëtare janë shqetësuar lidhur me numrin në rritje të sulmeve në Bullgari kundër refugjatëve sirianë dhe migrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e veriut dhe po u kërkojnë autoriteteve të “marrin një qëndrim të qartë e publik, që dhuna ksenofobe dhe raciste nuk do të tolerohet.”

“Refugjatët dhe migrantët duhet të mbrohen nga çdo ngacmim dhe dhunë e mëtejshme,” tha Amnesty International në një deklaratë pas incidentit të fundit, në të cilin dy burra sirianë u rrahën në Sofje.

Kryeministri bullgar Plamen Oresharski dhe presidenti Rosen Plevneliev bënë thirrje për tolerancë dhe paralajmëruan kundër kesenofobisë dhe pseudo-nacionalizimit.

“Kohët e fundit ne dëshmuam disa incidente shqetësuese, akte kriminale sulmi, kombinuar me përpjekje për të nxitur urrejtjen dhe thirrje për të përzënë të gjithë refugjatët nga vendi,” thanë Oresharski dhe Plevneliev në një deklaratë të përbashkët. “Nxitja e urrejtjes dhe intolerancës kundër njerëzve që janë të ndryshëm dhe përpjekja për t’i kundërvënë ata ndaj njeri tjetrit është tejet e rrezikshme dhe e papranueshme dhe duhet të goditet fort.”

Ndjenja anti-siriane është gjithashtu në rritje në Turqi, paralajmëroi portali në internet Al-Monitor, i cili bëri publike një fushatë të kohëve të fundit në internet “Jo Sirianë në Turqi,” që u lëshua nga faqja popullore Eksi Sozluk [Fjalori i Thartë].

“[Sirianët] krijojnë antipati, sepse ata janë të pakualifikuar dhe po ngrenë normën e krimit në Turqi, ndërsa qeveria po u jep atyre para që i merr nga shtetasit e vet,” citonte Al-Monitor faqen që e quante fushatën “një manifestim në internet të racizmit kundër refugjatëve sirianë në Turqi.”

Ruslan Trad, kryetar i OJQ-së Forumi për Kulturën Arabe, tha se ka me të vërtetë disa forca politike të djathta ekstreme që po përpiqen të përfitojnë nga vala e refugjatëve.

Shembulli më i fundit është Partia e Re Nacionaliste e Bullgarisë, që u ngrit në fillim të nëntorit. Ndërkohë një tjetër organizatë nacionaliste, Uniteti Kombëtar, ka organizuar “patrullat” civile, grupe të anëtarëve të vet të ngarkuar nga sa pretendohet me mbrojtjen e rendit në zonat e Sofjes me përqëndrim të lartë të refugjatëve dhe migrantëve. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut kanë thënë se ato shtyhen nga motive raciste dhe i kanë goditur si të paligjshme.

“Ato po përfitojnë nga frika e njerëzve dhe mungesa e informacionit,” i tha Trad SETimes. “Kur shtojmë mungesën e stabilitetit financiar dhe faktin se Bullgaria është një vend i varfër, mund të shohim rezultatet në rrugët e Sofjes. Njerëzit e zakonshëm nuk kanë probleme me refugjatët, qofshin ata nga Siria apo nga Afrika. Por frika e tyre është ambjenti perfekt për të përfituar politikisht dhe kjo është ajo që po ndodh për momentin.”

Janë shumë bullgarë që përdorin kohën dhe përpjekjet e tyre për të ndihmuar refugjatët çdo ditë, tha Trad. Maria Çereshova nga organizata Miqtë e Refugjatëve është një nga ta. Ajo tha se se qe e habitur të shihte se sa njerëz i qenë përgjigjur thirrjeve të tyre për ndihmë. Organizata ka tashmë 3.000 anëtarë dhe po bën veprime për t’u ofruar refugjatëve të gjitha llojet e ndihmave.

“Unë besoj se veprime të tilla duhet të jenë të qëndrueshme dhe njerëzit duhet të edukohen lidhur me fatin aktual dhe statusin e refugjatëve,” i tha ÇereshovaSETimes. “Ajo çka ne bëjmë është veprim humanitar. Filosofia jonë është jo vetëm të shkojmë e t’u japim atyre ca ushqim e rrobe, por ta bëjmë këtë me të gjithë mirëkuptimin, me buzëqeshje dhe me ca kohë për të biseduar, sepse ushqimi është i rëndësishëm, por nuk është gjithçka. Refugjatët kanë nevojë të kuptojnë se ka njerëz që i mirëpresin ata dhe janë të gatshëm të ndihmojnë.”

Abud Aldoks është një inxhinier sirian softueresh, që arriti në kampin e lagjes Voena Rampa të Sofjes. Ai erdhi nga Harmanli, ku kaloi një muaj. Në udhën e tij për t’i ikur luftës, ai udhëtoi nëpër Liban, Jordani, Egjipt, Turqi dhe më së fundi në Bullgari.

“Nuk druhem kur dal jashtë, por shumë sirianë kanë probleme, veçanërisht në qendër të qytetit,” i tha Aldoks SETimes.

Megjithatë, ai u është mirënjohës njerëzve që erdhën për të ndihmuar.

“Kjo na bën ne të ndihemi të kënaqur. Është mirë kur ka bullgarë që vijnë këtu,” tha ai.

Trad është optimist se “solidariteti do të triumfojë më në fund.”

“Shoh shumë e më shumë njerëz që vijnë e ndihmojnë refugjatët… Vullnetarët provojnë se ka një anë tjetër të medaljes,” tha Trad.

Çfarë hapash mendoni ju se duhet të marrin autoritetet në Bullgari për të mbrojtur refugjatët nga dhuna? Ndani mendimet tuaja në komentet./set

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit