Britania mund të detyrohet të largohet nga Bashkimi Evropian nëse kjo organizatë nuk reformohet, deklaroi në Londër ministri i Financave, George Osborne.
Sipas tij, grupi prej 28 anëtarësh do duhet të bëjë më shumë për të shtuar konkurrencën ekonomike me rivalët e saj, Indine dhe Kinën, ekonomitë e të cilave janë rritur respektivisht me një të tretën dhe 50 për qind në gjashtë vitet e fundit, ndërkohë që ekonomia evropiane është në stanjacion.
”Mos harroni se kontinenti ynë është duke ngelur prapa”, tha Osborne. Duke e vënë theksin tek dështimet e Evropës, ai përmendi çështjet e patentave të shpikjeve, ku kërkesat e bëra nga evropianët janë përgjysmuar në dekadën e fundit.
Duke iu refruar Angela Merkel, Osborne tha se Evropa ka 7 për qind të popullsisë botërore, 25 për qind të ekonomisë së saj dhe 50 për qind të shpenzimeve në shkallë globale për ndihmat sociale.
“Ne nuk mund të vazhdojmë në këtë mënyrë. Rreziku më i madh përballë Evropës nuk vjen nga ata që kërkojnë reformë dhe rinegocim, por nga dështimi i bërjes së reformës dhe rinegocimit”, tha ministri i Financave. Ai përsëriti qëndrimin britanik se Britania duhet të jetë në Evropë, por jo të drejtohet prej Evropës.
Kryeministri britanik David Cameron ka premtuar një referendum për anëtarësimin ose jo në BE në vitin 2017, ndërkohë që sondazhet e verës së kalaur tregonin se 51 për qind e britanikëve do të votonin pro largimit dhe 49% kundër.
Kjo deklaratë e ashpër shihet gjerësisht si një levizje dhe përpjekje për të shuar revoltën ne radhët e deputetëve konservatorë në pushtet për anëtarësimin e Britanisë në BE, vend i cili nuk është pjesë e Eurozonës. / Tch/kohaislame