Boris Johnson u shpall të martën fitues i garës brenda udhëheqjes konservatore britanike, për të zëvendësuar zonjën Theresa May.
Kjo i hap atij rrugën të ftohet nga Mbretëresha të mërkurën për t’u bërë kryeministër i ri i vendit.
Ish-gazetari ambicioz dhe ish-kryebashkiaku i Londrës kishte pritur gjithë jetën e tij politike për të marrë postin më të laertë, por për të nuk do të ketë muaj mjalti dhe pozita e tij është tani në tehun e thikës.
Nëse i bën gjërat gabim, ai mund të thyejë rekordin e Lordit Rockingham në vitin 1782, i cili qëndroi vetëm 96 ditë në Downing Street, duke u bërë kryeministri më jetëshkurtër i Britanisë.
Rebelët në partinë e tij, të udhëhequr nga sekretari i thesarit që po largohet, Philip Hammond, e kanë bërë të qartë se nëse ai përpiqet ta nxjerrë Britaninë nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje me Brukselin, ata do të votojnë me partitë opozitare për të rrëzuar qeverinë. Kjo do të shkaktonte zgjedhje të parakohshme që konservatorët nuk do të kishin gjasa t’i fitonin.
Me premtimin e Johnson për ta nxjerrë Britaninë “me hir a me pahir” nga BE-ja më 31 tetor, gjërat mund të komplikohen. Alan Duncan u largua si ministër për të nisur një përpjekje që ta detyronte kreun e ri të paertisë të përballet me një votë besimi në Dhomën e Komuneve edhe para se të ftohet nga mbretëresha për të hyrë në Downing Street si kryeministër.
Kryetarja e Dhomës i bllokoi përpjekjet e Duncan.
Vetëm një pjesë e vogël e ligjvënësve konservatorë pro-BE-së do të mund të përbënin shqetësim për Boris Johnson. Rreth 12 ministra pritet të largohen nga kabineti, përpara se ai të bëhet kryeministër.
Konservatorët po qeverisin si qeveri e pakicës dhe janë të varur nga një parti nazike, Unionistët e Irlandës së Veriut, që u japin atyre shumicën prej vetëm dy vendesh më shumë në Dhomën e Komuneve. Kjo mund të reduktohet në vetëm një vend më shumë, nëse një ligjvënës konservator shpallet fajtor për vepra seksuale në një gjyq të pritshëm.
Boris Johnson përballet me të njëjtën dilemë parlamentare që rrëzoi udhëheqjen e paraardhëses së tij, Theresa May, një parlament të bllokuar.
Vetë zonja May paralajmëroi kohët e fundit se pasardhësi i saj do të përballet me të njëjtën aritmetikë të vështirë parlamentare. Por, disa thonë se ai do të përballet me një matematikë edhe më të ashpër.
Johnson tha se ishte një “nder dhe privilegj i jashtëzakonshëm” për t’u zgjedhur udhëheqës, dhe ai premtoi se do të “mobilizojë vendin”.
“Fushata ka mbaruar dhe puna fillon,” tha ai. Gjatë gjithë fushatës së tij ai sulmoi “pesimistët” që ulnin Britaninë dhe vuri në shënjestër atë që ai e quajti një ndjenjë disfatizmi./ VOA