Shumë drejtorë të bordeve që u kishte skaduar mandati qysh në vitin 2013, nuk janë zëvendësuar dhe as nuk janë emëruar që nga ajo kohë. Por, sipas Zyrës së Informimit në Kryeministri, konkursi që ishte hapur për aplikim në 15 Borde të Ndërmarrjeve Publike ka përfunduar dhe do të vazhdohet me procedurat e mëtutjeshme.
Të kontaktuar nga Indeksonline, ZKM sqaron se këto procedura do të vazhdojnë deri në intervistim të aplikantëve, por pasi ato aplikacione të shqyrtohen nga Komisionet e themeluara nga Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit.
“Aplikacionet janë duke u shqyrtuar nga Komisionet që janë themeluar nga Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit, të cilët, pas përfundimit të intervistimit të kandidatëve, do t’i rekomandojnë Qeverisë anëtarët për emërim. Konkursi është shpallur për të gjitha Bordet e Ndërmarrjeve Publike që emërohen nga Qeveria dhe menaxhohen në pajtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike”, bën të ditur ZKM për Indeksonline.
Sipas tyre, emrat e propozuar për drejtor të Ndërmarrjeve Publike nuk dërgohen në Kuvend, por drejtorët emërohen nga Qeveria në pajtim me nenin 17 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike.
ZKM shton se në konkursin tashmë të përfunduar kishin aplikuar diku rreth dy mijë persona (aplikacione).kohaislame