Pesha strategjike, që ka Greqia për Bashkimin Evropian, mund ta bindë Gjermaninë që të bëjë lëshime, po aq sa edhe argumentet ekonomike të Kryeministrit Aleksis Tsipras për një marrëveshje të re ndihme ndaj vendit, thekson agjencia Bloomberg.
Komenti me titull “Aleancat e pasluftës në Greqi tregojnë se Evropa nuk ka për të humbur vetëm para”, thotë se vlera e Greqisë si anëtare e NATO-s dhe e porteve të saj në Mesdheun Lindor po rritet, teksa lufta në Siri, dështimi i shtetit të Libisë dhe armëpushimi i brishtë në Ukrainë, u shtohen tensioneve të vazhdueshme ndërmjet Izraelit dhe fqinjëve të tij.
“Me të drejtë do të shtronte ndokush pyetjen nëse Evropa, SHBA-të dhe NATO-ja do të mund të kishin luksin e krijimit të një vakumi sigurie dhe një vrime të zezë në rajonin kritik”, i deklaroi agjencisë “Bloomberg” Thanos Dokos, drejtor i Fondacionit Grek të Politikës së Jashtme dhe Evropiane, duke shtuar se kjo ka gjasë mos të jetë një “humbje e pranueshme për një BE me ambiciet për të luajtur një rol të rëndësishëm botëror dhe rajonal”.
“Përpjekja diplomatike, që e bindi Rusinë të ndalojë dhunën në Ukrainë, u theksua nga marrëdhëniet shumë miqësore të Tsiprasit me Presidentin Vladimir Putin”, nënvizon “Bloomberg”, duke vënë në dukje se këto i dërguan mesazhin Kancelares gjermane, Angela Merkel, se forcat evropiane rrezikojnë më shumë se 195 miliardë eurot e kredive të shpëtimit në konfrontimin e tyre me Greqinë.
“Ky rol mund të jetë arma më e fuqishme e Kryeministrit grek në negociatat me pjesën tjetër të Eurozonës”, deklaroi ish-zëvendësministri i Jashtëm grek, Dhimitris Kurkulas.
“Kjo ka gjasë të jetë karta e fundit negociuese, që ka Tsipras”, deklaroi Kurkulas në intervistën, që i dha agjencisë “Bloomberg”.