8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Bllokimi i ndërtimeve rrit çmimet e qirave të banesave

Më të lexuarat

Çmimet e qirave për herë të parë nisën rritjen në muajin prill që nga fundi i 2014, duke frenuar rënien nisur që nga fillimi i vitit 2015.

Sipas INSTAT në muajin prill rritja vjetore e çmimeve të qirave rezultoi 0.5 për qind, teksa për më shumë se një vit ndryshimi i vjetor i treguesit ka qenë në vlera negative, shkruan Monitor.

Ekspertë të sektorit bëjnë me dije se çmimet e qirave me rritje janë nxitur nga masat e ashpra për ndërtimet pa leje, të cilat kanë penguar ofrimin e kapaciteteve shtesë për banim. Ambientet që shfrytëzohen për qira në të shumtën e rasteve janë shtesa pa leje në banesat me leje pse ambiente tërësisht informale.

Këtë vit çmimet e qirave nuk e kanë ndjekur logjikën e tregut. Kur kërkesa për banesa pëson rënie, sic ka ndodhur gjatë 2015, çmimet e qirave priren të rriten, pasi ka kërkesë më të lartë për këtë shërbim. Por viti 2015 ka bërë një përjashtim nga kjo logjike pasi edhe çmimet për qiratë dhe ato për shtëpitë kanë rënie po njësoj.

Agjencitë imobilare pohojnë se ulja e qirave vitin e kaluar është ndikuar nga sjelljet jo normale të tregut. Ikja e shumë familjeve për qëllime emigrimi jashtë vendit ka krijuar mbiofertë në treg për qira e për pasojë edhe rënie të çmimeve.

Por teksa emigrimi është kthyer në ciklin normal dhe nga ana tjetër ndërtimi është bllokuar, çmimet e qirave kanë rinisur rritjen në muajin prill.

Çmimet e banesave dhe të qirave kanë pësuar luhatje ekstreme vitin e kaluar. indeksi i çmimit të banesave ra me 4.8% në tremujorin e katërt pasi ishte rritur me 2.3 dhe 5.4% dy tremujorët e mëparshëm. Luhatje të ngjashme regjistroi dhe indeksi i qirasë së banesave. Pasi ishte rritur me 7.7% tremujorin e tretë, indeksi i qirasë regjistroi rënie vjetore prej 14.8% në tremujorin e katërt.

Ecuria e çmimeve në tregun e banesave gjatë vitit 2015 është ndikuar në përgjithësi nga gjallërimi i kërkesës së vlerësuar për blerje banese, siç sinjalizojnë të dhënat nga vrojtimet e besimit dhe të aktivitetit kreditues.

Nga këndvështrimi i bizneseve, sektori i ndërtimit raporton një rritje të ngadaltë të kërkesës gjatë vitit 2015. Nga këndvështrimi i bankave, kërkesa e individëve për kredi për blerje banese është ndjeshëm më e lartë gjatë këtij viti.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit