-3.8 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

“Bllaca e kërcënonte Shaban Sylën me fotografi”

Më të lexuarat

Sipas dëshmitarit Qazim Shabani, Nazim Bllaca shkoi në banesën e tij në Bregun e Diellit që t’ia dërgonte porosinë Shaban Sylës se nëse nuk ia kompenson borxhin prej 200 mijë eurosh, do t’ia dërgonte fotografitë e tij Adem Salihajt.

Javë më parë mbrojtja e Shaban Sylës, i pandehur në çështjen e njohur në publik si “Bllaca II”, kishte propozuar dy dëshmitarë. I pari ishte Hysri Rama, i cili në rastin “Bllaca I” ishte dënuar me burgim me kusht për veprën penale të ndihmës në fshehjen e veprave penale. Sipas dënimit Rama e kishte ndihmuar Fahredin Gashin, të dënuar me 18 vite burg, që të fshihte veprat penale, raporton “Gazeta Jeta në Kosovë”.

Hysri Rama, edhe pse i ftuar nga mbrojtja me kohë për seancë, nuk kishte ardhur. Haxhi Millaku, avokat mbrojtës i Shaban Sylës, tha se Rama i kishte premtuar se do të vinte por, para fillimit të seancës kur ishte munduar ta kontaktonte përmes telefonit, celulari i dëshmitarit kishte qenë i mbyllur.

Dëshmitari tjetër në këtë çështje ishte Qazim Shabani, i njohur i Shaban Sylës. Ai kishte ardhur me kohë në seancë dhe dëshmitari do të dëshmonte si alibi e Shaban Sylës për ngjarjen kritike, më saktë për tentim vrasjen e Adem Salihajt.

Shabani, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Millaku, tha se ai pas luftës në 1999 kishte hapur një lokal në Prishtinë, në Dardani tek sheshi Bill Clinton, tek semaforët. Lokalin e kishte marrë me qira nga një person i quajtur Tomë Gashi, e lokali e kishte pas emrin Pasazh.

Ai tha se lokalin e llojit kafeteri e kishte hapur me djalin e tij. Atij i kujtohej se më 12 qershor 2000, në ditën e çlirimit, e kishte lënë që të dilte me gruan e tij, por kur kishte shkuar në lokal e kishte takuar Sherif Salihun, e pak me vonë aty kishte ardhur edhe Hysri Rama e Shaban Syla.

Në lokal, dëshmitari tha se ata ia kishin ndryshuar mendjen që të shkonte me ta në manifestimin që po mbahej në stadiumin e qytetit. Fillimisht nuk e kishte ditur se Shaban Syla ishte me makinë. Kur kishin dalë jashtë ai e kishte kuptuar që ai ishte me makinë. Por, makinën e kishin lënë dhe kishin shkuar në këmbë për në stadium.

“Ishte ora 10 ose 10 e 30 kur vendosem me shku në këmbë për në stadium, pasi që e dinim se do të ishte vështirë të gjejmë parkim për makinën te stadiumi”, tha Qazim Shabani.

Kur kishin arritur në stadiumin e qytetit të Prishtinës, ata ishin futur nga lindja. Nga shkallët e stadiumit kishin dalë poshtë në fushë, e të gjithë se bashku kishin shkuar në drejtim të skenës e cila ishte e vendosur në perëndim.

Aty, dëshmitarit Shabani i kujtohej se kishin qëndruar një kohë të gjatë, deri pak para orës 16, kur ishin kthyer prapë në lokalin e tij. Aty dëshmitari tha se e ka takuar gruan e vetë dhe pasi që ka qëndruar pak është nisur me të, duke e lënë të pandehurin Shaban Syla dhe dy të tjerët aty.

“Ata (Shaban Syla, Hysri Rama dhe Sheri Salihu) janë ngritur para orës 17, me sa e di unë”, shtoi dëshmitari.

Mbrojtësit Millaku i interesoi që të dinte nëse dëshmitari e njihte Nazim Bllacën dhe se kur e kishte njohur atë për herë të parë. E njëjta i interesoi edhe prokurores, në pyetjet e saja të shtruara më vonë gjatë seancës.

Dëshmitari në të dy rastet u përgjigj se e njeh Nazim Bllacën: Millakut ju përgjigj se e njihte atë që nga viti 2009, ndërsa prokurores i tha se e njihte që nga vitit 2005 ose 2006.

“Ishte ora 22 ose 23, në fund korrikun ose gushtin e vitit 2009, e di që ishte verë, kur Hysri Rama, i cili e dinte banesën time, kishte ardhur me Nazim Bllacën tek banesa ime, e cila gjendet në Bregun e Diellit. Ata më thirrën e unë zbrita poshtë. Nazim Bllaca filloi të më fliste për Shaban Sylën. Ai më tha që Shaban Sylës t’i dërgoj unë një porosi”, tregoi dëshmitari.

Ai po ashtu kujtoi fjalët e Nazim Bllacës: “Ti je më i vjetër dhe e kryen porosinë si duhet”.

Porosia ishte që t’i thuhet Shaban Sylës t’ia sjell Nazim Bllacës 200 mijë euro, e nëse Syla nuk i sillte 200 mijë eurot, atëherë Bllaca kishte kërcënuar se do t’i dërgonte fotografitë e Shaban Sylës tek Adem Salihaj dhe t’i thoshte se ai kishte tentuar ta vriste.

Më pas dëshmitari tha se vet e kishte thirr në telefon Shaban Sylën dhe ishte takuar më pas me të. Në takim i kishte treguar se çfarë i kishte kërkuar Nazim Bllaca. Shaban Syla në atë takim i kishte thënë se Nazim Bllaca atij i kishte 84 mijë euro borxh.

Dëshmitari Qazim Shabani tha se ai i kishte parë fotografitë që i kishte Nazim Bllaca, e në këto fotografi shihej Shaban Syla në një BMW X5, i ulur me xham të hapur e dorën jashtë, ndërsa fytyrën e kishte të kthyer.

Pasi që dëshmitari Qazim Shabani i kishte treguar Bllacës se çfarë i kishte thënë Shaban Syla, Nazim Bllaca i kishte thënë se “nëse ai (Shaban Syla) nuk i sjell parat, unë do ta akuzoj atë për tentim vrasjen e Adem Salihajt’.

Por, kur dëshmitari pas disa minutash u pyet nga prokurorja se kur e kishte takuar për herë të parë Nazim Bllacën, tha “në vitin 2005 ose 2006 e kam njohur përmes Hysri Rames, Nazim Bllacën… atë e kam takuar krejt 5-6 herë”.

Prokurorja u interesua në të gjitha faktet që i dha dëshmitari, e sidomos dëshminë lidhur me CD-në e Nazim Bllacës.

Dëshmitari edhe prokurores, por edhe të pandehurit Shpresim Ukës, pas pyetjeve të tyre, u tha se “Nazim Bllaca përmes Hysri Ramës na ka ftuar që të shkojmë e të bisedojmë për borxhin. 99 përqind e bisedave që i kemi bërë kanë qenë për borxhin… Ky takim ka zgjatur 1 ose 1 orë e 30”.

Më pas shtoi se atë çfarë kishte dëgjuar në CD ishte e ndryshme nga ajo që ata kishin folur në këtë takim, se, sipas dëshmitarit, ai nuk do të shkonte dhe ta merrte me vete Shpresim Ukën në këtë takim.

Në përfundim të seancës, avokati Haxhi Millaku kërkoi nga gjykata që vetë ajo ta ftojë Hysri Ramën pasi që duket që ftesa e tij nuk i ka bërë përshtypje, e pas marrjes në pyetje të tij kërkoi që të ballafaqohet me dëshmitarin Qazim Shabani. Këtë nuk e kundërshtoi as prokurorja.

Seanca e radhës në këtë çështje do të vazhdojë më 22 tetor.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit