1.3 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

“Bllaca 2”, arratiset Driton Hajdari

Më të lexuarat

Njëri nga të akuzuarit në rastin “Bllaca” është arratisur. Driton Hajdari është larguar nga shtëpia e tij në “Kodrën e Trimave” dhe nuk dihet vendndodhja e tij.

Burime të afërta me procesin kanë thënë se Hajdari ka qenë duke pritur vendimin e Gjykatës Supreme për masën e arrestit. Posa ka kuptuar se Supremja ia ka shndërruar masën e arrestit shtëpiak në paraburgim, për shkak të mosrespektimit të kësaj mase, ia ka mbathur, shkruan “Koha Ditore”.

“Policia e EULEX-it po e kërkon Hajdarin gjithandej. Ka shkuar disa herë në shtëpinë e tij, por nuk e ka gjetur”, ka thënë një burim.

Arratisjen e ka konfirmuar tërthorazi. Zëdhënësja për drejtësi në EULEX, Bardha Azari, ka thënë se Policia nuk po e gjen Hajdarin për t’ia dhënë vendimin e Gjykatës Supreme.

“Javën e kaluar Gjykata Supreme e Kosovës ka pranuar kërkesën e prokurorit të EULEX-it nga Prokuroria Speciale për të ndryshuar masën ndaj Driton Hajdarit nga arresti shtëpiak në paraburgim”, ka thënë Azari.

“Ai (prokurori v.j.) nuk ka mundur që t`i tregonte Hajdarit për masën e re, ngase i dyshuari nuk po mund të gjendet nga policia”, ka konfirmuar ajo.

Driton Hajdari është njëri prej të akuzuarve në rastin “Bllaca 2”. Ai akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë të dy zyrtarëve të LDK-së, Ismet Arifit dhe Adem Salihajt.

Avokati i Hajdarit, Ramiz Krasniqi, ka thënë se nuk e di nëse klienti i tij është arratisur apo është në shtëpi.

“Jo nuk e di. Ne kemi një seancë më 15 tetor dhe pres që të shkojë në seancë”, ka thënë Krasniqi.

Nëse deri atëherë nuk kapet Hajdari, seanca pritet të fillojë me dy të akuzuar më pak. Ajo do të mbahet vetëm me Shpresim Ukën, Shaban Sylën e Bekim Sylën. Para një muaji Gjykata ka veçuar rastin kundër Fahredin Gashit për shkak të problemeve shëndetësore.

Moskapja e Driton Hajdarit pritet t’i sjellë telashe procesit për shkak se lënda kundër tij duhet të veçohet. Arrestimi i tij pas shpalljes së aktgjykimit kundër të tjerëve duhet të nisë prej fillimit. E nisja nga fillimi nënkupton thirrjen e dëshmitarëve dhe leximin e provave një nga një.

Hajdari është njëri nga “invalidët e luftës” që përfiton kujdes shtetëror pa qenë kurrë në luftë. Tre mijë e 200 e 40 euro në vit shteti e shpërblen atë për kontributin e tij që ka dhënë për vrasjen e Ismet Arifit të mbetur në tentativë. 270 euro në muaj derdhen në llogarinë e tij bankare.

Hajdari i lindur më 12 qershor 1980 akuzohet edhe për vrasjen në tentativë të Adem Salihajt. Kjo përpjekje kishte ndodhur më 12 qershor 2000. Për këtë krim akuzohen edhe Shpresim Uka dhe Shaban Syla. Bllaca ndërkaq për këto dy krime është shpallur dëshmitar bashkëpunues.

Kundër tij, Shpresim Ukës, Fahredin Gashit, Sadik Abazit, Shaban e Bekim Sylës ka aktakuzë. Të gjithë akuzohen se kanë kryer krime si anëtarë të Shërbimit Informativ të Kosovës.

Hajdari është mik i familjes së deputetit Azem Syla. Ai kishte qenë edhe në dasmën e djalit të Sylës. Prokuroria ka siguruar fotografi të Driton Hajdarit të bëra në këtë dasmë. Deputeti i Kuvendit të Kosovës është marrë në pyetje në Prokurorinë Speciale të Kosovës pas akuzave që kishte hedhur kundër tij Nazim Bllaca, i cili pretendon se ka qenë agjent i SHIK-ut dhe se ka kryer krime me urdhër të Azem Sylës. /Tg/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit