Shuarja e bizneseve në Kosovë duhet të jetë sinjal alarmues për institucionet kosovare, thonë njohës të çështjeve ekonomike. Sipas tyre, me shuarjen e bizneseve, po shuhen shumë vende të punës, çka rrjedhimisht ndikon edhe në rritjen e shkallës së varfërisë në vend.
Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave Haki Shatri, thotë se dukuria e falimentimit të bizneseve në Kosovë është shkaktuar nga ambienti i pafavorshëm biznesor, mungesa e kapitalit qarkullues dhe problemet që janë paraqitur në ngrirjen e fondeve publike. “Buxheti, si burim i kryesor i financimit të investimeve kapitale në Kosovë, çdo pengesë e tij reflektohet drejtpërdrejtë në problemet tek kompanitë të cilat shpeshherë përfundojnë edhe në falimentim. Shkalla e borxheve të bizneset është shumë e lartë. Ato i obligohen njëra tjetrës në mënyrë zinxhirore, me hua të ndryshme, për arsye të mungesës së mjeteve qarkulluese”, thekson Shatri.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, konfirmojnë se që nga fillimi i këtij viti deri më tani, në Kosovë janë regjistruar 3,385 biznese, dhe prej tyre janë shuar 269.
Zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Arta Istrefi thotë se numri është më i madh i bizneseve që regjistrohen se sa që shuhen. “Sipas agjencisë për regjistrimin e bizneseve në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, nga 1 janari i këtij viti, deri më 24 mars, janë regjistruar 3,385 biznese, ndërsa janë shuar 269 prej tyre”, thotë Istrefi.
Ajo thotë se është eliminuar leja e punës, është reduktuar numri i dokumenteve për eksport – import, që janë nevojitur deri në 8 dokumente, ndërsa tani nevojiten vetëm dy dokumente. “Ne kemi aprovuar një sërë ligjesh deri më tani, që kanë për qëllim lehtësimin e ambientit për të bërë biznes, dhe këto janë reforma që do të vazhdojnë, deri sa të kemi një rezultat shumë më të mirë, dhe deri sa të kemi një rezultat që Kosova të jetë vendi më i mirë në rajon për të bërë biznes, ne do të bëjmë reforma”, thekson Istrefi/kohaislame/