Qindra qytetarë i janë përgjigjur ftesës së Rrjetit të Grupit të Grave dhe Thirrjeve të Nënave për protestë, kundër bisedimeve të pakushtëzuara mes Kosovës dhe Serbisë.
Nga protestuesit u kërkua që mos të ketë negociata me Serbinë pa u realizuar disa kërkesa, si: kërkim falja nga Serbia, kthimi i të pagjeturve, drejtësi për krimet dhe dhunimet gjatë luftës, si dhe kompensim për dëmet morale dhe ekonomike.
Igballe Rogova, nga Rrjeti i Grupit të Grave, ka thënë se janë në dijeni se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë janë të sponsorizuara dhe të përkrahura nga SHBA-të dhe BE-ja, mirëpo ka kërkuar që këto bisedime të kushtëzohen dhe të merren parasysh kërkesat e tyre 14 vjeçare, për të cilat, sipas saj, asnjëherë nuk u interesuan as institucionet vendore, por as ato ndërkombëtare.
“Para se të negociohet me Serbinë ne kërkojmë identifikimin dhe kthimin e të gjithë personave të pagjetur. Kërkojmë që publikisht të kërkohet falje nga Serbia për dhunën e të drejtave njerëzore të ushtruar kundër popullit të Kosovës gjatë viteve ‘90 e tutje, përfshirë edhe dhunimet gjatë luftës. Kompensim për kursimet jetësore dhe pronat tona të vjedhura dhe të shkatërruara nga shteti serb dhe që udhëheqësit tanë politikë dhe akterët ndërkombëtarë të sigurojnë që të arrihen të drejtat tona për drejtësi për dhunën kudër të drejtave njerëzore që është ushtruar ndaj nesh”, ka thënë ajo, transmeton “Kosovapress”.
Nysrete Kumnova, nga Thirrjet e Nënave, para protestuesve ka thënë se janë bërë 14 vjet që janë në pritje të familjarëve të tyre të zhdukur, prandaj kërkoi nga institucionet e Kosovës që mos të zhvillojnë negociata me Serbinë pa kthimin e më të dashurve të tyre.
“Përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, ne jemi ata që ju votuam dhe ju jeni të betuar për të dëgjuar kërkesat e popullit. Andaj me zë të lartë ju drejtohem juve që njëherë të tregoni vendosmërinë tuaj për hir të popullit tonë që dha shumë për lirinë e Kosovës. Mbajeni mend se edhe 1770 qytetarë të Kosovës ende janë të pagjetur. Këta nuk janë numra, por janë jetë të njerëzve që mbahen pengë dhe nuk dihet ende për fatin e tyre”, ka thënë ajo.
Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë pa kushtëzimin e tyre me fatin e të pagjeturve, i kundërshtojnë edhe familjarët e personave të zhdukur.
Makfire Berisha, nga Fushë Kosova, e cila edhe pas 13 vjetësh nuk din gjë për fatin e vëllait të saj 30 vjeçar, shprehet e indinjuar në institucionet e Kosovës, duke thënë se nuk kanë bërë sa duhet për më të dashurit e tyre.
Nëna Shyqyrie Gashi nga Krusha e Madhe thotë se mungesën e djalit të saj, Kapllanit, po e vuan e tërë familja.
“Nënat po përvëlohen për djem, çika për babë, gruaja për burrë. Duhet me na i gjet kufomat e djemve tanë, sepse na i kanë mbyt. Është dashtë me na mbytë neve pleqve e jo djemtë e ri. Çikat po qajnë për babën e vet, vëlla nuk kanë”, ka thënë ajo.
Organizatorët e kësaj proteste lexuan edhe një letër, të cilën thonë se ia kanë dërguar edhe presidentes së vendit, Atifete Jahjagës dhe kryeministrit Hashim Thaçit.
Në fund, protestuesit marshuan drejt objektit të Qeverisë, ku dhe vendosen në rrethojat e kësaj ndërtese një baner me kërkesat e tyre.
Këtë protestë të Rrjetit të Grupit të Grave dhe Thirrjeve të Nënave, e kanë përkrahur edhe organizata tjera, duke përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje.kohaislame