Dalja e Greqisë nga Bashkimi Europian është i pashmangshëm. Kështu shkruante e përditshmja gjermane “Bild” në numrin e saj të djeshëm.
Gazeta ka zbuluar edhe të “fshehtat” e takimit në Bruksel mes kancelares gjermane Angela Merkel, kryeministrit grek Aleksis Cipras dhe atij francez Fransua Hollond. Pas bisedimeve, sipas “Bild” Merkel ka deklaruar se gjithçka është e kotë dhe se falimentimi i Greqisë është thjesht çështje kohe.
Por Angela merkel e ka përgënjeshtruar menjëherë lajmin në një konferencë për mediat, duke u shprehur se negociatat do të vijojnë deri në gjetjen e një zgjidhjeje.
“Kam thënë para disa ditësh se kur ka vullnet ka edhe rrugë, por sot them se ky vullnet duhet të jetë nga të gjitha palët. Është e rëndësishme të flasim me njëri tjetrin në vazhdimësi deri në arritjen e një marrëveshjes”, shprehet Merkel.
Presioni për daljen e Greqisë nga zona euro është shtuar ndjeshëm tek të gjitha palët dhe brenda opinionit publik pas dështimit të bisedimeve të Bruskelit, por veçanërisht pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar braktisi bisedimet një ditë më parë, duke u shprehur se ka shumë dallime mes tyre dhe autoriteteve të Athinës.
Kurse presidenti i Komisionit të Bashkimit Europian Zhan-Klod Junker, ka deklaruar se tashmë topi ndodhet në fushën e Greqisë.
Ngërçi mes palëve është krijuar tek çështja e pagave, pensioneve dhe financave, për të cilat kryeministri Aleksis Tsipras nuk pranon uljen e tyre në të mirë të kursimit.