Numri i njerëzve që kërkojnë azil në Bashkimin Evropian ra për të tretin vit me radhë në 2018-ën, duke shkuar në më pak se gjysmën e shifrave të pikut gjatë krizës së emigracionit 2015-2016, treguan të dhënat të mërkurën.
Agjencia e azilit për bllokun raportoi 635,000 kërkesa në 2018-ën, ende më shumë se dyfishi i shifrave tipike përpara se kryengritjet e “Pranverës Arabe” të vitit 2011, të përhapnin luftën dhe jostabilitetin në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme.
Shifra e vitit 2018 ishte pak më poshtë se 641,000 aplikime për azil, të paraqitura në vitin 2014, viti i kaluar para një rritjeje të të ardhurve nga deti Mesdhe, që krijoi një krizë humanitare dhe politike të profilit të lartë.
Shifrat e azilit arritën kulmin në 1.4 milion dhe 1.3 milionë në vitin 2015 dhe 2016. Një nga rrugët kryesore të përdorura nga azilkërkuesit për të arritur në Evropë – nga Turqia në Greqi – u mbyll kryesisht në vitin 2016 dhe një tjetër nga Libia në Itali ishte frenuar ashpër vitin e kaluar.
Para “Pranverës Arabe”, rreth 300,000 njerëz zakonisht kërkonin azil në BE çdo vit.
“Po kthehemi në nivelet para krizës. Ne jemi në rrugën e duhur”, tha zyrtari më i lartë i emigracionit të BE, Dimitris Avramopoulos, për gjetjet e raportit.