Edhe pse nuk janë ndërtuar marrëdhënie të shëndosha mes fesë dhe psikologjisë përgjatë dy shekujve të fundit, studimet e fundit që janë bërë këto tridhjetë vite, nxjerrin në pah lidhje të rëndësishme mes fesë dhe shëndetit mendor. Diçka e tillë nuk është konfirmuar vetëm nga studiuesit dhe klerikët fetarë, por është mbështetur dhe konfirmuar dhe nga studiuesit e fushës së mjekësisë. Studimet dhe eksperimentet e zhvilluara, kanë zbuluar se personat që kanë një nivel të lartë besimi fetar (përkushtim, përhumbje, praktikim të ritualeve fetare, lutje, lexim i teksteve të shenjta etj..), në krahasim me ata që janë më pak besimtarë, gëzojnë një shëndet mendor më të mirë. Ata janë më të qetë në jetë, optimistë për të ardhmen, janë më pak të ekspozuar ndaj depresionit dhe stresit, janë më rezistent ndaj presioneve psikologjike dhe kanë një nivel të ulët përpjekjesh për vetëvrasje.
Në fakt, këto studime në terren që janë zhvilluar në shoqëritë perëndimore, nuk është se të gjithë tregojnë – për disa shkaqe – rreth lidhjeve pozitive mes besimit fetar dhe shëndetit mendor. Megjithatë, një pjesë e madhe e tyre e theksojnë këtë lidhje pozitive mes tyre.
Koenig, i cili është një nga ekspertët më të shquar në këtë fushë, thotë se 500 nga 700 studime që janë zhvilluar para vitit 2000 në këtë sferë, 71% e tyre tregojnë lidhjet mes besimit fetar dhe shëndetit mendor. Sipas kësaj analize:
63 nga 93 eksperimente, kanë vërtetuar se ata që kanë një nivel të lartë përkushtimi fetar, janë më pak të ekspozuar ndaj depresionit dhe se edhe ata që janë të ekspozuar ndaj tij, i rikthehen më shpejt normalitetit brenda një periudhe më të shkurtër.
57 nga 68 eksperimente kanë vërtetuar se tek kjo kategori ndodh shumë rrallë vetëvrasja.
35 nga 69 studime kanë vërtetuar se përqindja e stresit tek kjo shtresë, është shumë herë më e ulët se të tjerët.
Sipas 98 studimeve nga 120, shtresa e fetarëve janë më pak përdorues të substancave narkotike sesa të tjerët.
94 nga 114 studime, kanë konkluduar në faktin se fetarët gëzojnë shëndet mendor më të mirë se të tjerët, ata janë më optimistë dhe më shumë shpresues.
15 nga 16 studime, kanë zbuluar se jeta e fetarëve është më e kuptimtë dhe se i përmbushin ambiciet e tyre më shumë se të tjerët.
35 nga 38 studime, kanë zbuluar se fetarët janë më të lumtur në jetën e tyre bashkëshortore, ata i trajtojnë më mirë bashkëshortët/et.
19 nga 20 studime, kanë parë që kjo shtresë kanë mbështetje më të madhe sociale. [1]
Është e vërtetë që për këdo që i lexon këto të dhëna, të ketë parasysh specifikat e fesë në shoqërinë perëndimore. Megjithatë, ne mund të themi që ndikimi i fesë në shëndetin mendor në përgjithësi, është më shumë pozitiv sesa negativ.
Përveç informacioneve teorike, në këtë artikull do i qasemi edhe ndikimit të fesë në shëndetin mendor, në dritën e studimeve empirike të zhvilluara në këtë fushë në perëndim, kryesisht në SHBA. Në këtë kontekst, do të orvatemi të studiojmë raportet mes besimeve fetare, depresionit, vetëvrasjes, stresit dhe shëndetit mendor.
Feja dhe depresioni
Është e ditur që depresioni kryeson listën e patologjive të cilat kërcënojnë njeriun e kohës tonë. Sipas studimeve është parë se mbi 100 milionë njerëz vuajnë nga nga sëmundje. [2] Ajo është nga patologjitë më të përhapura, sidomos mes të moshuarve. Përqindja e të moshuarve që vuajnë prej saj është 35%. Sindromat e kësaj sëmundje rriten tek ata të moshuar të cilët nuk jetojnë në institucione të caktuara. [3]
Kështu, nëse depresioni nuk trajtohet, çon në pasoja tepër negative për të moshuarit dhe shoqërinë ku jetojnë. Shumica e patologjive depresive nuk shërohen krejtësisht. Sëmundja mund të rikthehet pas një periudhe trajtimi të gjatë. Është vërtetuar se 2/3 e depresivëve që kanë marrë trajtim, u është kthyer sërish sëmundja në më pak se tre muaj. Kjo ndodh për shkak të kushteve ekonomike dhe stilit të jetës.
Atëherë, cili është lloji i marrëdhënies mes fesë dhe depresionit? Thënë ndryshe: A ushtron feja ndikim pozitiv mbi depresionin?
Koenig, i cili ka kryer një sërë studimesh rreth depresionit dhe atyre që shkojnë në kishë, ka vënë re se në 59 studime nga 93 syresh, të zhvilluar në terren, rezulton se përqindja e paqëndrueshmërisë psikologjike tek ata që marrin pjesë në ritualet fetare është më e ulët se tek të tjerët. Tek kjo shtresë shfaqen më rrallë simptomat e kësaj patologjie.
Një nga studimet më të gjera në këtë fushë, është ai që ka bërë Larson dhe Koenig në vitin 2001. Ata zhvilluan kërkime rreth raportit të fesë me shëndetit në dimensione të ndryshme. Rezultati ishte se ekzistojnë raporte pozitive mes fetarizmit dhe të qenit i kënaqur në jetë. Në studimin e tyre rreth lidhjes mes fesë, depresionit dhe stresit, u pa se 2/3 e eksperimenteve treguan se besimtarët me përqindje të lartë përkushtimi janë më pak të ekspozuar ndaj depresionit dhe stresit. [4]
Koenig bashkë me kolegët e tij, zhvilluan një studim me 111 të moshuar në depresion. Pasi u ndoqën për një vit të plotë, u zbulua se pjesëmarrja e tyre në ritualet kishtare dhe leximi i Biblës, pati efekte pozitive. Besimi dhe aktivitetet fetare kishin lënë ndikim tepër pozitiv tek të moshuarit me depresion. Ashtu siç u pa që gjysma e të sëmurëve nga depresioni, u shëruan pa marrë asnjë medikament mjekësor.
Edhe pse këta studiues nuk i kanë shpjeguar mekanizmat që i çuan në këtë rezultat, pretenduan se besimi fetar u fali të sëmurëve një këndvështrim më të mirë dhe më pozitiv për jetën. Ai u ofroi një koncept të ri dhe të pranueshëm për dhimbjet dhe vdekjen.
Nga ana tjetër, u pa se besimi fetar u mundëson të moshuarve një kenë një vetëperceptim të lartë, duke i ndihmuar të njohin dhe vlerësojnë pikat e dobëta dhe të forta, si dhe identitetin e tyre. Kjo konsiderohet një ndihmë e madhe gjatë pleqërisë në të cilën shëndeti i njeriut pëson çrregullime dhe dobësohet. Veç kësaj, feja e pajis njeriun me shpresë se sado të vështira të jenë rrethanat dhe sado vështirësi të hasë njeriu, gjërat do të përmirësohen. Kështu, atij i rikthehet shpresa dhe i përmirësohet gjendja emocionale. [5]
Në studimin e Cummings dhe kolegëve të tij me 568 të sëmurë, u vu re lidhja mes mbështetjes sociale dhe fetarizmit dhe mes sëmundjeve funksionale. Përqindja e ekspozimit ndaj depresionit është më e ulët tek ata që marrin mbështetje sociale të lartë dhe tek ata që marrin pjesë në aktivitetet fetare. Kjo kishte ndikim pozitiv edhe tek personat me aftësi të kufizuara. Përkushtimi fetar ushtron një ndikim i cili në nivele kaq të larta nuk haset as tek arsimi, seksi, statusi social dhe martesa. [6]
Studimet e zhvilluara në Kanada me 37 mijë persona, treguar lidhjet mes nivelit të lartë të përkushtimit fetar dhe reduktimit të depresionit. Sipak këtij studimi, sa më shumë të rritet përkushtimi fetar, aq më shumë vihet re reduktimi i çrregullimeve psikike, depresioni dhe fobia sociale. Feja luan një rol kyç në interpretimin dhe kuptimin që njeriu i jep jetës, rezistencën ndaj vështirësive të jetës së përditshme dhe përballimin e fatkeqësive dhe traumave. [7]
Si e redukton feja depresionin dhe si e shëron tërësisht atë?
Studiuesit e lidhin këtë me frymën kolektive e cila pikaset lehtësisht tek komunitetet fetare gjatë lutjeve dhe ritualeve përkatëse, gjë e cila i pajis me energji shpirtërore. Individët e këtij komuniteti, jo vetëm që nuk vuajnë nga vakumi shpirtëror, por ata e mbështesin njëri-tjetrin edhe materialisht. Prandaj tek kjo shtresë hasen më rrallë emocionet negative si ndjenja e vetmisë, vetëmbylljes, dobësisë, mungesës së optimizmit, mungesës së qëllimeve etj… sidomos nëse konsiderojmë se shkaqet e depresionit janë ndjesia e vetmisë, izolimit nga shoqëria dhe dobësimi i lidhjeve me individët. [8]
Vetëvrasja dhe besimi fetar
Studimet që zhvillohen në kohën tonë kanë vërtetuar tezën e Durkejm një shekull më parë, sipas të cilës organizmat fetare janë një faktor i rëndësishëm në mbrojtjen e ithtarëve të tyre nga vetëvrasja. Për ta vërtetuar këtë tezë, ai bëri një krahasim mes katolikëve dhe protestantëve dhe mbërriti në idenë se përqindja e rasteve të vetëvrasjes tek katolikët, është më e ulët se në shoqëritë protestante. Sipas Durkejm, kjo ndodh për shkak të organizimeve sociale që pikasen në shoqëritë fetare. Kështu, ata që praktikojnë ritualet fetare, nuk ndihen pjesëmarrës vetëm në çështjet fetare, por edhe në vlerat morale, familjare dhe kontributit social. Një strukturë e tillë sigurisht që ndikon pozitivisht në shëndetin e tyre mendor.
Orvatjet për vetëvrasje edhe pse hasen tek të gjitha grupmoshat, ato vihen re më shpesh tek të moshuarit. Ekspertët amerikanë thonë se 10-13% e të moshuarve në shoqërinë e tyre vuajnë nga probleme mendore. Sipas tyre, nëse këta nuk do të trajtohen, përqindja e vetëvrasjeve mes tyre mund të shkojë nga 4 – 60%. Vetëvrasja në shoqëritë perëndimore nuk kërcënon vetëm shtresën e të moshuarve, por edhe të rinjtë. Përqindja e sjelljeve që lidhen me vetëvrasjen në mesin e të rinjve është shumë e lartë. [9]
Kjo diferencë kaq e lartë në të dhëna, buron nga fakti nëse disa sjellje konsideroheshin apo jo si vetëvrasëse, duke filluar nga qëllimi e duke përfunduar tek ekzekutimi. Në psikologji këto njihen me termin “faktorët e rrezikut”. Listën e këtyre faktorëve e kryeson prirja familjare për këtë patologji, depresioni, përdorimi i substancave narkotike, fryma agresive dhe nëse ndonjë nga pjesëtarët e familjes është vetëvrarë.
Një faktor tjetër i vetëvrasjes është dhe formimi gjenetik, mutacionet fizike, shpirti agresiv, nervozizmi i shpejtë, paaftësia për zgjidhjen e problemeve dhe humbja e shpresës. Sakaq, depresioni tek gratë është një faktor më i rrezikshëm sesa tek burrat. [10]
Shumica e studimeve që janë fokusuar rreth marrëdhënieve mes përkushtimit fetar dhe vetëvrasjes, kanë vërtetuar marrëdhëniet e kundërta mes tyre. Tashmë dihet që islami e ndalon vetëvrasjen në mënyrë kategorike, njëlloj siç ndodh dhe në fetë e tjera.
Studimet në këtë fushë tregojnë se feja është faktori më i rëndësishëm i cili e ndihmon njeriut tu rezistojë presioneve të jashtme dhe të brendshme të cilat në përgjithësi shkaktojnë depresionin. Është vënë re se ata që praktikojnë obligimet fetare janë më pak të ekspozuar ndaj faktorëve rrezik, që çojnë në vetëvrasje si vartësia e substancave narkotike, depresioni dhe humbja e shpresës.
Sipas një studimi, përqindja e rasteve të vetëvrasjes tek ata që nuk shkojnë në kishë, është katër herë më e lartë në krahasim me praktikantët që frekuentojnë kishën sistematikisht.
Sipas një studimi të zhvilluar në 25 shtete, u zbulua se feja dhe vetëvrasja janë të orientuara në kahje të kundërta. [1]
Në kundërshtim me sistemin kapitalist, feja nxit jetën e thjeshtë dhe pa komplekse, gjë e cila redukton vetëvrasjen. Fetë lindore si krishterimi, që nxisin jetën e thjeshtë dhe që e konsiderojnë krim të rëndë cenimin e jetës, siç ndodh me islamin, e mbrojnë njeriun nga rendja pas shumëfishimit të pasurisë. Një besim i tillë e ruan dhe mbron shëndetin mendor të individit.
Besimi fetar dhe stresi
Në 76 eksperimente të zhvilluara rreth raportit mes fesë dhe stresit (69 studime në terren dhe 7 në laborator) në 35 prej tyre u zbulua se stresi dhe paniku tek shtresa e praktikantëve, është më e ulët në krahasim me afetarët. Në 17 prej tyre nuk u gjet asnjë lidhje, në 7 u vunë re raporte komplekse dhe të ndërthurura, në 10 prej tyre niveli i stresit dhe frikës tek praktikantët ishte më i lartë se tek afetarët. Aspekti më i rëndësishëm në këto studime ishte se 6 nga 7 eksperimentet në laborator, konfirmuan rolin e rëndësishëm të fesë në shërimin nga stresi. [12]
Frika nga vdekja
Një nga faktorët e rëndësishëm që shkaktojnë stres tek njerëzit është frika nga vdekja. Duke qenë jashtë vullnetit të njeriut, ajo shkakton shumë frikë dhe stres. Megjithatë, vlen të themi se frika nga vdekja varion nga një person tek një tjetër. Ekzistojnë faktorë të tjerë të cilët e rrisin ose e reduktojnë frikën nga vdekja. Në krye të listës së këtyre faktorëve është shkalla e përkushtimit fetar, besimi në jetën tjetër dhe atë shpirtërore. Një studim i zhvilluar me 132 gra dhe 64 burra të moshës 18-80 vjeç, specialistët panë se faktori kryesor i frikës nga vdekja ishte pjekuria psiko-sociale, i ndjekur nga faktori moshë. Studimi tregoi se sa më i lartë të jetë niveli i pjekurisë sociale dhe moshës, reduktohet shkalla e ekspozimit ndaj stresit dhe frikës nga vdekja. [13]
Besimet fetare bëhen pengesë e këndvështrimit negativ për jetën, stresin, vetëvrasjen dhe depresionin, duke i çuar në nivelin zero. Si rezultat, individët gëzojnë shëndet mendor më të mirë.
Le të përmendim dhe disa studime të zhvilluara në këtë sferë:
Feja dhe optimizmi:
Në një studim të zhvilluar mes lidhjes së besimeve fetare dhe ndjesisë së shpresës, 12 nga 15 studime vërtetuan praninë e një lidhje pozitive të rëndësishme mes tyre. Ndërkohë që studimet e tjera nuk treguan ndonjë lidhje, por asnjëri prej tyre nuk tregoi të kundërtën. [14]
Një nga kontributet më të rëndësishme të fesë në shëndetin mendor, është ndjesia e optimizmit dhe shpresës. Peterson, Seligman dhe Vaillant kanë zhvilluar një studim mbi 100 persona të diplomuar në universitetin e Harvardit. Rezultati i studimit ishte se personat pesimistë gjatë rinisë së tyre, kishin pësuar përkeqësim të shëndetit mendor 20-30 vite më pas, në krahasim me optimistët. Studimi tregoi se individët që kanë një këndvështrim optimist, jetojnë 7 – 7.5 vite më shumë se pesimistët. Ekspertët e lidhin këtë me dashurinë për jetën tek individët optimistë, të cilët edhe në pleqëri fokusohen tek aspektet pozitive. [15]
Plante dhe kolegët e tij zhvilluan një studim me 242 studentë universitarë të cilët banojnë në zona të ndryshme, u përkasin besimeve të ndryshme dhe studiojnë në institucione arsimi të ndryshme. Ata gjetën se përqindja e dhënia e një kuptimi për jetën, optimizmi, mbështetja e të tjerëve dhe këndvështrimi për jetën si një rivalitet pozitiv, është më e lartë tek studentët me besim fetar të fortë. Rrjedhimisht, përqindja e atyre që ekspozohen ndaj stresit dhe depresionit në mesin e këtyre studentëve, është më e ulët në krahasim me të tjerët. [16]
Feja dhe shëndeti mendor
Është e ditur se me shtyrjen në moshë, ndërpritet dhe përmirësimi i shëndetit fizik dhe mendor, të cilët fillojnë kahjen e përkeqësimit. Edhe pse kjo ndodh më shpesh tek burrat, ndryshon nga një person tek një tjetër. Ndërkohë që disa ambientohen dhe familjarizohen mjaft mirë me simptomat e pleqërisë, sëmundjet kronike, dobësimin dhe nevojën për mbështjetjen e të tjerëve, të tjerët ndikohen negativisht.
Ekspertët pohojnë se në të tilla raste, feja dhe jeta shpirtërore ka një ndikm të madh në shëndetin mendor dhe psikologjik. Eksperimentet e zhvilluara tregojnë se ekzistojnë lidhje pozitive mes besimeve fetare dhe aktivitetit shpirtëror dhe mes të qenit i lumtur dhe me moral të lartë. Nga njëqind studime rreth kësaj lidhjeje, tetëdhjetë vërtetuan lidhjet pozitive mes tyre. [17]
Kirby, Coleman dhe Daley zhvilluan një studim me 233 persona të moshës 65-95 vjeç. Ata zbuluan se simptomat negative të pleqërisë, ushtrojnë ndikim negativ në shëndetin mendor të moshuarve. Por, njëkohësisht ata zbuluan se përkushtimi fetar dhe aktiviteti shpirtëror kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mënjanimin e ndikimeve negative dhe për rrjedhojë në ruajtjen e shëndetit mendor. Ata panë se feja dhe aktiviteti shpirtëror kanë ndikim të fuqishëm në vetëkontrollin e individit, në zhvillimin e kapaciteteve, krijimin e marrëdhënieve pozitive me të tjerët, pranimin e vetes, dhënien kuptim të jetës dhe pavarësi relative. Në fakt, ky rezultat ishte mbështetje e një sërë studimeve të tjera të mëparshme në këtë fushë. [18]
Lëvin J.S., Markides K.S dhe Ray L.A, zhvilluan një studim i cili zgjati 11 vite me tre grupe, të rinj, në moshë të mesme dhe të moshuar. Numri i personave për çdo grup ishte 375 dhe numri total 1125. Studimi fokusohej mbi ndikimin pozitiv të praktikimit rregullit të ritualeve fetare. Dy ishin rezultatet më kryesore:
I pari, ekziston një lidhje e fortë mes praktikimit të ritualeve, një jete të kënaqur dhe reduktimit të depresionit. Ndërkohë, tek personat në moshë të mesme dhe të moshuar, u vu re lidhja mes praktikimit të ritualeve dhe kënaqësisë në jetë. Sakaq, tek të rinjtë u vu re qartë ndikimi i ritualeve në reduktimin e depresionit.
Kjo merr përmasa më të rëndësishme në rastin e përkeqësimit të shëndetit, daljes në pension apo heqjes dorë nga puna zyrtare dhe institucionale. Pjesëmarrja e të moshuarve në ritualet fetare, është parë edhe si një mënyrë në përfitimin e kësaj shtrese nga mbështjetja sociale që ofrojnë institucionet fetare, por redukton dhe presionet psikologjike. [19]
Përfundim:
Edhe pse disa qarqe nuk e kanë pranuar fenë, madje e kanë shpërfillur dhe aneksuar gjatë historisë njerëzore, nuk ia kanë dalë mbanë. Feja është një realitet dhe ndikues i natyrshëm në jetën e njeriut, prej të cilit nuk shqitet kurrë. Përveç rolit të fesë si një sistemues i jetës së njeriut dhe shoqërisë nëpërmjet parimeve dhe ligjeve morale, me kalimin e viteve po shpaloset qartë nëpërmjet studimeve shkencore se jo është e dobishme edhe për shëndetin mendor. Edhe shtetet të cilat kanë mbërritur majat më të larta të teknologjisë dhe shkencës, kanë filluar të aplikojnë metoda alternative të mjekësisë dhe feja gëzon një status të privilegjuar tek këto metoda. Feja, me anë të bazave të besimit dhe praktikës, ofron një model jete të shëndetshme. Nëpërmjet mbështetjes sociale, ajo nxit unitetin dhe lumturinë sociale. Sakaq, nëpërmjet lutjes kufizon stresin dhe presionet psikologjike, duke u çelur njerëzve dyert e shpresës dhe duke i dhënë jetës së tyre një kuptim dhe qëllim sublim.
Shumë shkencëtarë perëndimore, edhe pse e mohojnë fenë dhe ndikimin e saj pozitiv në shëndetin mendor, u sugjerojnë shkencëtarëve të mjekësisë që tu sugjerojnë pacintëve të tyre të kryejnë dhe rituale fetare.
Së fundmi, duhet të kemi parasysh diçka të rëndësishme, se, nëse fetë që janë larguar nga burimi i tyre qiellor kanë një ndikim kaq të madh tek individët dhe shoqëritë perëndimore, ç’mund të themi për ndikimin pozitiv të Islamit, i cili është feja përmbyllëse dhe më e plotë?!
(1) Koenig, H. G. (2004). Religion, spirituality, and medicine: research findings and implications for clinical practice. Southern medical journal. 97 (12), p. 1195.
(2) ëëë.istanbul.edu.tr/iletim/index.php 04.01.2007.
(3) Cohen, A. B. & H. G. Koenig. (2003). Religion, religiosity and spirituality in the biopsychosocial model of health and ageing. Ageing international, 28 (3), p. 220.
(4) Hackney, C. H. & G. S. Sanders. (2003). Religiosity and mental health: a meta-analysis of recent studies. Journal for the scientific study of religion, 42 (1), p. 44.
(5) Koenig, H. G., L. K. George & B. L. Peterson. (1998). Religiosity and remission of depression in medically ill older patients, pp. 538-541.
(6). Cummings, S. M., J. A. Neff & B. A. Hussaini. (2003). Functional impairment as a predictor of depressive symtomatology: the role of race, religiosity, and social support, pp. 25-29.
(7) Baetz, M. R. et al. (2006). Hoë spiritual values and ëorship attendance relate to psychiatric disorders in the Canadian population. Canadian journal of psychiatry, 51 (10), pp. 654-657.
(8) Kennedy, G. J. et al. (1996). The relation of religious preference and practice to depressive symptons among 1,855 older adults. Journal of gerentology, 51b (6), p. 306; Ëestgate, C. E. (1996). Spiritual ëellness and depression. Journal of counseling and development. 75, p. 31.
(9) Greening, L. & L. Stoppelbein. (2002). Religiosity, attributional style, and social support as psychological buffers for African American and ëhite adolescents’ perceived risk for suicide. Suicide and life-threatening behavior, 32 (4), p. 404.
(10) ibid., pp. 404-405.
(11) Ëeaver, A. J. & H. G. Koenig. (1996). Elderly suicide, mental health professionals, and the clergy: a need for clinical collobation, training, and research, p. 502; Commerford, M. C. & M. Reznikoff. (1996). Relationship of religion and perceived social support to self-esteem and depression in nursing home resident. The Journal of psychology, 130 (1), p. 43.
(12) Koenig, H. G. (2002). Religion and medicine II: religion, mental health, and related behaviors. International journal of psychiatri in medicine. 31 (1), p. 100.
(13) Rasmussen, C. A. & C. Brems. (1996). The relationship of death anxiety ëith age and psychosocial maturity. The journal of psychology. 130 (2), p. 143.
(14) Koenig, H. G. (2002)., ibid. 31 (1), p. 99.
(15) Cohen, A. B. & H. G. Koenig. (2003). İbid., p. 228.
(16) Plante, T. G. et al. (2000). The association betëeen strength of religious faith and psychological functioning. Pastoral psychology. . 48 (5), pp. 406-411.
(17) Koenig, H. G. (2002). İbid.
(18) Kirby, S. E., P. G. Coleman & D. Daley. (2004). Spirituality and ëell-being in frail and nonfrail older adults, p. 127.
(19) Levin, J. S., et al. (1996). Religious attendance and psychological ëell-being in Mexican Americans: a panel analysis of three-generations data. The gerentologist. 36 (4), pp. 457-461.
Perktheu: Elmaz Fida/ardhmeriaonline