-1.1 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Berlini furnizon Izraelin me nëndetëse

Më të lexuarat

Gjermania po e furnizon Izraelin me nëndetëse, të cilat mund të pajisen me koka nukleare. Tri prej këtyre nëndetëseve të prodhuara në Kiel tashmë i janë dhënë shtetit hebraik. Kurse tri nëndetëse të tjera është paraparë t’i jepen më 2017. Madje, Izraeli është duke e shqyrtuar mundësinë që në Gjermani të bëjë edhe një porosi tjetër për tri nëndetëse, shkruan revista javore gjermane “Der Spiegel”.
Sipas magazinës gjermane, Berlini gjithmonë e ka mohuar mundësinë që këto nëndetëse të mund të bëhen pjesë e arsenalit nuklear izraelit. Mirëpo, sipas “Der Spiegel”, ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë gjermane të Mbrojtjes e kanë siguruar se qeveria gjithmonë ka besuar se Izraeli po i pajis me municion atomik nëndetëset sulmuese të klasës “Dolphin”.

“E konfirmoj se ne kemi nëndetëse gjermane dhe kjo nuk është ndonjë fshehtësi”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë izraelite të Punëve të Jashtme, Yigal Palmor. “Ndërsa, nuk më takon mua të flas rreth kapaciteteve të tyre nukleare”, ka shtuar ai.

Izraeli, i cili nuk e ka nënshkruar Traktatin e Mospërhapjes Nukleare, kurrë nuk i ka konfirmuar as demantuar kapacitetet e tij nukleare, një politikë zyrtarisht e cilësuar “ambiguitet i qëllimshëm”.

Njoftimi se nëndetëset që i janë shitur Izraelit janë pajisur me municion atomik ka ngjallur reagimin e opozitës socialdemokrate (SPD), e cila ka kërkuar shpjegime nga qeveria e Angela Merkelit.

“Qeveria federale duhet të japë informacione për të ditur nëse nëndetëset e dhëna nga Gjermania mund të pajisen me sisteme që mund të bartin predha nukleare”, ka deklaruar për të përjavshmen Rolf Mützenich, zëdhënës për çështjet e politikës së jashtme të grupit parlamentar të SPD-së.

“Deri më tani, këto furnizime ndër të tjera janë justifikuar me faktin se këto nëndetëse ishin pjesë e një arsenali konvencional zhbindës”, ka theksuar ai.

“Furnizimi (me nëndetëse) është bërë pa armatim”, i është përgjigjur “Der Spiegelit” zëdhënësi i kancelares Angela Merkel, Steffen Seibert, duke shtuar: “qeveria federale nuk merr pjesë në spekulimet lidhur me armatosjen e tyre të mëvonshme”.

“Gjermanët mund të jenë krenarë që kanë garantuar ekzistencën e Izraelit për vitet e ardhshme”, ka deklaruar në lidhje me këtë kontratë ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak, i cituar nga gazeta.

Sipas “Der Spiegel”, Berlini shpresonte se në këmbim me këto kontrata do të merrte koncesione nga ana e izraelitëve rreth kolonive në territoret e pushtuara palestineze.

“Gjermanët mund të jenë krenarë që kanë garantuar ekzistencën e Izraelit për vitet e ardhshme”, ka deklaruar në lidhje me këtë kontratë ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak, i cituar nga gazeta. /Telegrafi/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit