Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë zhvilloi sot një vizitë në Gjakovë dhe në Deçan të Kosovës. Berisha së bashku me autoritetet më të larta të Kosovës ishte i pranishëm në ceremonitë e vendosjes së shtatoreve të patriotëve shqiptarë në Gjakovë dhe Deçan.
Berisha i shoqëruar nga presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ishte i pranishëm në ceremoninë e zbulimit të shtatores së patriotit Ali Ibra, në qendër të Gjakovës.
Kryeministri shqiptar gjatë fjalës së tij falënderoi autoritetet kosovare dhe vlerësoi figurat dhe përpjekjet e patriotëve në luftën për bashkimin e trojeve shqiptare.
“Dua të përulem me nderim të madh dhe të falënderoj me mirënjohje kryetarin e komunës së Gjakovës për ftesën dhe nderin që më bëri dhe të shpreh kënaqësinë që sot nderojmë njërin prej burrave, njërin nga komandantët legjendarë, Ali Ibrën. Ndaj dhe shpreh nderimin për të burrë të madh i cili me udhëheqësit e tjerë u mblodhën në Prizren në një vendim për ti dalë zot kombit dhe trojeve shqiptare. Sot ne nderojmë burrin që në krye të lidhjes së Prizrenit do t’i kundërvihej të gjitha fuqive të botës që synonin të copëtonin shqiptarët. Përulem me nderimin më të madh para këtij qyteti që qëndroi si kështjellë e pamposhtur e shpirti tonë kombëtar”, tha Berisha
Berisha u shpreh se, sot në Gjakovë ishte ndjerë sikur ishte në komunën e tij. “Kur kam ardhur në këtë komunë dhe një qytetar më tha ‘mirë se erdhe në komunën tënde’ dhe kurrkund në botë nuk ndjehem tek vetja ime sesa tek ky qytet i mrekullueshëm dhe ju përulem me nder qytetarëve”, tha Berisha.
Kryeministri tha se sot më shumë se kurrë apeli i patriotëve është i fuqishëm dhe ne duhet punojmë çdo ditë për bashkimin tonë përfundimtarë në Evropë, sipas tij, këtë kanë dashur edhe patriotët tanë të cilët kanë luftuar, për bashkimin e trojeve.kohaislame