8.4 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Beqiri: Për PDK-në jemi Akademi

Më të lexuarat

Deklarata e kryeministrit Hashim Thaçi se nuk merret me investigimin e asnjë personaliteti dhe vlerësimi i tij se kundërshtarëve të tij u duhet pjekuria politike, ka ngjallur reagime tek partitë opozitare. LDK dhe AAK thonë se tashmë janë mësuar me fjalorin denigrues të kryeministrit. Drejtuesit e LDK-së thonë se partia e tyre është Akademi për PDK-në, Vetëvendosje e vlerëson se ky kryeministër nuk ka kurrfarë kredibiliteti as moral e as politik, ndërsa AAK-ja deklaratën e Thaçit e vlerëson si të pamatur.

“Pa dashur të lëshohem në atë çfarë ka thënë ai, mund të them me kompetencë të plotë se nëse ka menduar për LDK-në, LDK-ja karshi PDK-së, besa edhe shumë të tjerave, është akademi politike… Zotëri Mustafa mund të shihet lider, edhe për pjekuri politike, dhe të tjera. Ai është edhe akademik dhe sigurisht që zotëri Thaçit i duhet ende kohë për të mbërritur këto nivele. Ka dallim të madh mes akademisë politike, ose të them në mënyrë figurative – mes universitetit dhe shkollës fillore”, ka thënë Beqiri për “KosovaPress”.

Deklaratën e kryeministrit Thaçi ai nuk e quan fyerje, pasi, sipas tij, “për Thaçin është normale që me kësi fjalori denigrues t’u drejtohet të tjerëve”.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, deklaron se është vështirë të fyhet dikush, pasi Thaçi “nuk ka kurrfarë kredibiliteti as moral e as politik për ta pasur aftësinë për të fyer dikë”. Ai madje thotë se kryeministri i vendit, me “maturinë politike që ka”, është i rrezikshëm për Kosovën.

Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, thekson se deklarata e Thaçit është e pamatur dhe se ai duhet të merret me konceptet politike e jo me aspektet personale të liderëve.

“I fyeri fyen. E vërteta është se ai nuk ka aftësi dhe nivel të edukimit për të kaluar në debat për çështje konceptuale dhe si pasojë e kësaj, zotëri Thaçi gjithmonë tenton ta kthej debatin në çështje personale, në mënyrë që të mjegullojë edhe më tutje opinionin publik”, ka thënë Ramadani.

Kryeministri Thaçi, në një intervistë për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se nuk merret me biografitë personale të askujt, ndërsa ka shtuar se disave u duhet pjekuria politike.

“Unë nuk merrem me investigimin e asnjë personaliteti. Atë që kam për të thënë për konceptet politike, e them në parlament dhe kudo, prandaj nuk kam çka të fsheh për askënd, asgjë. Por, realisht i kam kursyer dhe do t’i kursej ende, sepse po e shoh që u duhet kohë për pjekuri politike. Unë nuk merrem me biografi personale të askujt”, ka thënë ai. /Telegrafi/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit