1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

BE “rrëzon” PPP-të. Gjykata europiane: Miliarda euro humbje dhe vonesa

Më të lexuarat

Gjykata Europiane e Audituesve deklaroi se kontratat e partneritetit publik-privat sjellin humbje të mëdha financiare për taksapaguesit. Përfundimi ka dalë pas auditimit të 87 kontratave koncesionare, që janë dhënë nga vendet e Bashkimit Europian për përiudhën 2000-2014.

Analiza e ekspertëve të gjykatës është fokusuar veçanërisht në 7 projekte autostradash në Greqi dhe Spanjë. Sipas raportit, këto projekte janë tenderuar me një kosto fillestare prej 7.8 miliardë eurosh. Por, gjatë zbatimit, kostoja e tyre është rritur me 1.5 miliardë euro të tjera, ose gati 20 për qind mbi vlerën fillestare, të cilën gjykata e ka klasifikuar si dëm ekonomik.

Por, ky nuk është dëmi i vetëm i konstatuar. Veç rritjes së kostove, realizimi i projekteve me partneritet publik-privat ka rezultuar me vonesa të mëdha në përfundimin e veprave, deri në 5 vite nga afati fillestar.

“Përfitimet potenciale të PPP-ve shpesh nuk janë arritur, për shkak të vonesave dhe rritjeve të kostove, duke rezultuar në 1.5 miliardë euro shpenzime joefektive”, thuhet në vendim.

Kjo është hera e parë, kur Bashkimi Europian kryen një analizë të hollësishme mbi projektet koncesionare të dhëna nga vendet anëtare. Sipas raportit, politika e partneritetit publik-privat ka rezultuar në dëme të konsiderueshme financiare për qytetarët.

Ndaj, gjykata u ka rekomanduar vendeve të BE-së të ndalojnë promovimin e kësaj politike, deri në ndërtimin e një kuadri ligjor më të fortë për koncesionet.

Raporti i gjykatës vjen në një kohë kur qeveria shqiptare po përdor në mënyrë agresive politikën e partneritetit publik-privat. Përveç koncesioneve në Shëndetësi apo shërbimet e tjera publike, qeveria shqiptare do të miratojë edhe 5 kontrata të mëdha rrugësh me vlerë një miliard euro.

Kjo nismë ka alarmuar Fondin Monetar Ndërkombëtar, i cili i ka kërkuar publikisht qeverisë të pezullojë dhënien e koncesioneve, për të mos rrezikuar financat e shtetit dhe ekonominë kombëtare.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit