Në vigjilje të 24 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, Bashkimi Evropian (BE) shprehu mbështetje për Bosnjë e Hercegovinën, për të krijuar një shoqëri të bazuar në pluralizëm, drejtësi dhe dinjitet njerëzor.
Në një deklaratë të përbashkët, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe komisioneri Johannes Hahn theksuan se është detyrë të mbahet mend Srebrenica, duke e përshkruar atë si një nga momentet më të errëta të njerëzimit në historinë moderne të Evropës.
“Zemrat dhe mendimet tona janë me viktimat dhe me të gjithë ata të cilëve jetët u janë prekur nga këto ngjarje tragjike”, thuhet në deklaratë.
“Duke kujtuar, ne kemi përgjegjësinë për të ankoruar në mënyrë të vendosur paqen dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë njerëzit që jetojnë në Bosnjë e Hercegovinë dhe në rajonin më të gjerë. Ne duhet t’i japim fund mosndëshkimit dhe të kapërcejmë trashëgiminë e të kaluarës”, theksohet në deklaratë.
Deklarata e BE-së po ashtu përmendi se nuk ka vend për retorikën nxitëse ose për lavdërimin e kriminelëve të luftës.
“Përpjekjet për të rishikuar historinë në Bosnjë e Hercegovinë apo kudo tjetër janë të papranueshme”, thuhet në deklaratë.
Srebrenica u rrethua nga forcat serbe që po përpiqeshin të zhvatnin territore nga muslimanët dhe kroatët boshnjakë për të formuar shtetin e tyre.
Mbi 8 mijë muslimanë burra dhe djem boshnjakë u vranë pasi në korrik të vitit 1995 forcat serbe në Bosnjë sulmuan Srebrenicën, e shpallur nga OKB-ja si “zonë e sigurtë”, pavarësisht pranisë së trupave holandeze të ngarkuara për të zbatuar paqen.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte shpallur Srebrenicën “zonë të sigurt” në pranverën e vitit 1993. Megjithatë, zona e OKB-së u pushtua nga trupat serbe të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiç, që më vonë u shpall fajtor për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.
Trupat holandeze nuk arritën të vepronin, pasi forcat serbe pushtuan zonën duke vrarë rreth 2 mijë njerëz në një ditë të vetme më 11 korrik. Rreth 15 mijë njerëz të Srebrenicës u strehuan në malet përreth, por trupat serbe i ndoqën dhe vranë 6 mijë prej tyre në pyje./AA