-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

BE-ja merr masa ligjore ndaj AstraZeneca-s

Më të lexuarat

Bashkimi Evropian tha të hënën se ka nisur veprime ligjore kundër kompanisë farmaceutike AstraZeneca në lidhje me mungesat në dorëzimin e vaksinave kundër koronavirusit.

Mungesa e tyre ka shënuar vonesa në procesin e imunizimit në të gjitha vendet anëtare të BE-së.

“Komisioni ka filluar të premten e kaluar një veprim ligjor kundër kompanisë AstraZeneca në bazë të shkeljeve të marrëveshjes së blerjes”, tha Stefan De Keersmaecker, një zëdhënës i BE-së.

“Disa kushte të kontratës nuk janë respektuar dhe kompania nuk ka qenë në gjendje të dalë me një strategji të besueshme për të siguruar shpërndarjen në kohë të dozave të vaksinës”, tha ai.

Firma britaniko-suedeze AstraZeneca hodhi poshtë akuzat e BE-së si të “pa baza”.

“AstraZeneca ka përmbushur plotësisht marrëveshjen me Komisionin Evropian dhe do të mbrohet fuqishëm në gjykatë”, tha ajo në një deklaratë.

AstraZeneca tha se planifikon që të dorëzojë rreth 50 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit në Evropë deri në fund të muajit prill. Por, kjo sasi, sipas Brukselit është shumë më e ulët sesa ajo që parashihej në marrëveshje.

Komisioni tha se kompania ka siguruar vetëm 31 milionë doza nga 120 milionë sa ishte pritur t’i dërgonte në tre muajt e parë të këtij viti.

Diplomatët thanë se çdo proces gjyqësor kundër AstraZeneca do të fillonte në një gjykatë belge pasi kështu parashihet në kontratë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit