Kosova përmendet shumë herë në dokumentin zyrtar, të atij që është pozicion i Bashkimit Evropian, në nisje të negociatave për anëtarësimin e Serbisë.
Në deklaratën hapëse të Bashkimit Evropian, që do të paraqitet të martën në takimin e parë ministror ndërqeveritar ndërmjet Beogradit dhe Brukselit, vazhdimisht përmendet Kosova si kusht i rrugës së Serbisë drejt Bashkimit Evropian.
Korniza Negociuese thotë se e merr parasysh përparimin që Serbia ka bërë në raport me Kosovën.
“Ky proces duhet të sigurojë që të dyja palët të ecin në rrugën e tyre evropiane, pa mundësinë që ta bllokojnë njëra – tjetrën në këtë përpjekje dhe kjo gradualisht duhet të çojë në një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në formën e një marrëveshje obliguese ligjore në fund të negociatave të Serbisë për anëtarësim, në mënyrë që të dyja të mund t’i ushtrojnë të drejtat e tyre dhe përgjegjësitë”, thuhet në dokument, të cilin e ka parë Kohavision.
Në mënyrë specifike Serbisë i kërkohet që të zbatojë marrëveshjet me Kosovën dhe në mënyrë të plotë të respektojë parimet e bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal.
Gjithçka me Kosovën ka të bëjë me Kapitullin 35, që i përshkruan kushtëzimet e Serbisë në këtë aspekt.
Aty i kërkohet Serbisë që çdo problem me kufijtë e saj ta zgjidhë në përputhje me parimet e zgjidhjes në mënyrë paqësore të çështjeve të diskutueshme, duke respektuar Kartën e OKB-së, duke përfshirë nëse duhet edhe juridiksionin obligues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ose mekanizmat e arbitrazhit.
Përfundimisht i thuhet Serbisë se Komisioni Evropian dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE nga afër do të monitorojnë përpjekjet e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve dhe për këtë do të raportojnë së paku dy herë në vit. /Koha