-0.4 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

BE anulon projektin 12 milionë euro për ndërtimin e deponisë për mbeturinat e rrezikshme në Kosovë

Më të lexuarat

Zyra e BE-së në Kosovë ka bërë të ditur se i është dashur të anulojë një projekt prej 12 milion eurosh për ndërtimin e deponisë së mbeturinave të rrezikshme në Kosovë.

“Vendimi për një projekt të tillë të rëndësishëm mbështetet në bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve qendrore dhe lokale dhe bëhet në konsultim me popullatën lokale. Për fat të keq, autoritetet lokale të Kosovës në fund dështuan në mbështetje të projektit.

Projekti “Hartimi i planit për deponinë për mbeturinat e rrezikshme” është përfshirë në Planin e Veprimit në Mjedis të Kosovës 2011-2020, në Strategjinë për Menaxhimin e Mbeturinave në Kosovë 2013-2022 dhe në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve. Veprimi përfshinte ndërtimin e objekteve për deponimin e mbeturinave të rrezikshme bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës në vitin 2010. Si rrjedhojë, projekti u përfshi në Instrumentin e BE-së për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA) për 2015. Qeveria duhej të siguronte që projekti për ndërtimin e deponisë për mbeturinat e rrezikshme të miratohej nga Kuvendi Komunal”, thuhet në njoftimin për media.

Më tej zyra e BE-së ka njoftuar se Qeveria fillimisht identifikoi një parcelë toke brenda kompleksit të vjetër ushtarak në Harilaq në Fushë Kosovë, e cila, pas studimeve paraprake, nuk doli të jetë e përshtatshme për shkak të mjeteve të pashpërthyera dhe bunkerëve të vjetër, duke e bërë të pamundur ndërtimin.

Pas disa kërkesave nga ana e BE-së në Kosovë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor identifikoi një lokacion alternativ brenda komunës së Fushë Kosovës. Megjithatë, Kuvendi i Komunës e refuzoi ngritjen e objektit në territorin e saj, duke mos i lënë kështu BE-së opsion tjetër, veçse të anulojë projektin.

“Pa parcelë toke të identifikuar, nuk është më e mundur të bëhet Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis, projektimi i hollësishëm dhe të përgatitet dosja e tenderit dhe procedura përkatëse përzgjedhëse për kryesin e punëve brenda afatit të kontratës që është 15 dhjetor 2019. Në këtë pikë, thjesht nuk ka kohë për identifikim të një parcele të re dhe për kryerjen e sërishme të të gjitha aktiviteteve përgatitore (gjeologjike, gjeoteknike, projektimi paraprak, konsultimet publike etj.)”, thuhet më tej në njoftim.

BE-ja shpreh keqardhje për anulimin e këtij projekti, i cili do t’i silte përfitime të mëdha gjithë popullsisë, duke siguruar deponi të përshtatshme për mbeturinat e rrezikshme. Aktualisht, nuk ka një përkujdesje për këto mbeturina dhe si të tilla paraqesin kërcënim për shëndetin e njerëzve në mbarë Kosovën.

BE-ja kontribuon me pothuajse 100 milion euro ndihmë financiare për Kosovën në vit. BE-ja mbetet e angazhuar të punojë ngushtë me Kosovën, përfshirë edhe me autoritetet lokale, për të investuar në një mbrojtje më të mirë mjedisore.

Më poshtë historiku i projektit:

Kosova nuk ka infrastrukturë të përshtatshme dhe sistem efikas të menaxhimit për mbetjet e rrezikshme, duke përfshirë mbetjet e rrezikshme industriale (MRRI), të krijuara sot ose të trashëguara nga e kaluara. Aktualisht të dhënat për mbeturinat industriale dhe të rrezikshme janë të kufizuara, veçanërisht të dhënat për operatorët ekonomikë që gjenerojnë mbeturina të rrezikshme. Përveç kësaj, nuk ka të dhëna për mbeturinat e gjeneruara nga sektori i bujqësisë dhe industria ushqimore. Mbeturinat e rrezikshme vazhdojnë të menaxhohen në mënyrë joadekuate duke u shpërndarë në pika të ndryshme pavarësisht nga rreziku për kontaminim, ose deponohen në vende pa e marrë në konsideratë si duhet parandalimin e ndotjes/kontaminimit. Për shkak të aktiviteteve të pakontrolluara të minierave dhe sektorit industrial në të kaluarën, materialet e rrezikshme janë gjithashtu të pranishme në deponitë e mbeturinave të minierave në një sërë vendesh në Kosovë. Vlerësohet se sasia e MRRI-ve të gjeneruara nga industritë ekzistuese është afërsisht 1170 t/vit, ndërsa sasia totale e MRRI-ve të gjeneruara (duke përjashtuar MRRI-të nga aktivitetet e minierave dhe guroreve) është afërsisht 12000 t/vit. Kjo do të thotë se një sasi e konsiderueshme e MRRI-ve gjenerohet nga amvisëritë ose burime të tjera të paregjistruara.

Qëllimi i projektit të BE-së, me vlerë 12 milionë euro, ishte mbështetja e zhvillimit të infrastrukturës fizike për deponinë e përkohshme të mbeturinave të rrezikshme. Projekti përfshinte përgatitjen e inventarit të mbetjeve të rrezikshme, vlerësimin e ndikimit në mjedis, projektimin, mbikëqyrjen dhe ndërtimin e objekteve të deponimit të përkohshëm në përputhje me standardet, normat dhe praktikat më të mira të BE-së. Këto mbeturina, të deponuara përkohësisht, do të trajtoheshin pastaj nëpërmjet asgjësimit përfundimtar në Kosovë ose jashtë vendit, nëpërmjet një marrëveshje dypalëshe me një vend të tretë.

Gjithashtu, vlen të theksohet se aktualisht ekzistojnë një numër vendhedhjesh të paligjshme që ndodhen afër zonës ku ishte paraparë të ndërtohet deponia, gjë që mund të paraqesë rrezik për shëndetin. /tg

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit