Barcelona ka fituar në udhëtim te Deportivo La Coruna me rezultat 2-4 në ndeshjen e vlefshme për javën e 35-të të La Ligas, fitore kjo e cila i ka shpallur kampion për këtë sezon.
Gjiganti katalunas ka arritur të përfundoj me sukses sezonin superior në La Ligas pasi tri javë para fundit është shpallur matematikisht kampion i Spanjës, titull ky i 25-ti në histori të klubit.
Barcelona e nisi furishëm takimin duke shënuar qysh në minutën e shtatë me anë të Philippe Coutinhos, i cili shënoi për 0-1 pas asistimit të Ousmane Dembele.
Skuadra e Ernesto Valverdes nuk i ndali sulmet dhe arriti të gjej edhe golin e dytë, ku Lionel Messi (38′) shënoi për 0-2 pas një asistimi perfekt nga Luis Suarezit.
Megjithatë, vendasit arritën të kthehen në lojë me anë të Lucas Perez, i cili shënoi në minutën e 40-të për 1-2 dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim.
Në pjesën e dytë, vendasit nisën mirë ndeshjen, duke gjetur shpejt edhe golin e barazimit, ku Emre Colak (64′) shënoi nga afërsia për rezultatin 2-2.
Ky gol nervozoi paksa katalunasit që u sulën përsëri në sulm dhe pas sulmeve të pareshtura gjetën edhe golin e tretë me anë të Messit (82′), i cili pas asistimit të Suarezit shënoi për 2-3.
Messi shënoi edhe golin e het-trikut, ku në minutën e 85-të shënoi për 2-4 dhe vulosi fitoren dhe rezultatin përfundimtar të ndeshjes.
Pas kësaj fitore, Barcelona shpallet edhe matematikisht kampion me 84 pikë në vendin e parë apo 11 më shumë se Atletico Madrid në vendin e dytë me tri ndeshje të mbetura deri në fund.
Në ndeshjen e radhës, katalunasit e presin në shtëpi Real Madridin, ndërsa La Coruna udhëton tek Celta Vigo.