Banorëve të veriut të Mitrovicës, pa dallim të përkatësisë etnike, do t’u ofrohen shërbime spitalore terciare pa pagesë nga Spitali amerikan në Prishtinë dhe Tiranë. Kjo është bërë e dituar të mërkurën pasi që është nënshkruar një memorandum mirëkuptimi nga kryetari i Komunës, Avni Kastrati, dhe nga drejtori i përgjithshëm i Spitalit amerikan në Tiranë, Klodian Allajbeu.
Drejtori Allajbeu gjatë një prononcimi për media ka theksuar se memorandumi i nënshkruar hyn në fuqi menjëherë dhe do të zgjasë deri në fund të këtij viti, me mundësi vazhdimi.
Synimi është që kjo të jetë një thirrje modeste për të gjitha bizneset, të cilat mund të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve të rënda shëndetësore të popullatës, ka thënë Allajbeu. Ai më tej ka shtuar se qytetarët e veriut të Mitrovicës në nevojë do të marrin shërbimet e duhura në Spitalin amerikan në Prishtinë dhe Tiranë. Sipas tij, spitali do të ofrojë për qytetarët e veriut të Mitrovicës pa dallim etnie shërbimet për të cilat ka nevojë popullata si kirurgjia e zemrës, abdomenit, syrit, pastaj të gjitha lëmenjtë ortopedikë etj. Spitali amerikan ka kapacitet prej 200 shtretërve, ndërsa në rast nevoje do të gjendet zgjidhje fleksibël, në mënyrë që pacientët assesi të mos lihen anash, ka pohuar Allajbeu, raporton koha.
Ndërsa Avni Kastrati ka shprehur fjalë miradije për Spitalin amerikan pasi, siç ka thënë ai, popullata e veriut të Mitrovicës ka nevojë për shërbime shëndetësore. “Kjo vërtet do të thotë shumë për mitrovicasit, sepse ata do të kenë mundësi që pa pagesë të shërohen në këtë spital me renome”, ka thënë Kastrati. Spitali amerikan në Prishtinë do të ofrojë ndihmë për qytetarët në 12 drejtime të ndryshme, si: urgjencë, kirurgji, ortopedi, urologji, pediatri etj. Nëse në rast se ndonjë pacienti nuk mundet t’i jepet trajtimi i nevojshëm në Prishtinë, atëherë atë do ta transportojnë në Tiranë./Indeksonline/kohaislame