GAZA (AA) – Palestinezët e mbledhur në pika të ndryshme në kufirin e Rripit të Gazës me Izraelin në kuadër të protestave paqësore që po vazhdojnë në javën e katërt falën namazin e xhumasë në zonën kufitare, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Lëvizjes Xhihadi Islam që mbajti hutben në qytetin Han Junus, Davud Shihab, tha se ky akt i palestinezëve është “arma, durimi dhe qëndrueshmëria” e tyre.
Ai theksoi nevojën e arritjes së unitetit kombëtar palestinez, siç tha ai, për të arritur sukses përballë armikut.
“Fitorja nuk arrihet me ndarje dhe copëtim”, shtoi ai.
Të paktën 36 palestinezë kanë rënë dëshmorë dhe mbi 3.500 janë plagosur nga sulmet e ushtrisë izraelite që nga 30 marsi, kur palestinezët filluan të tubohen përgjatë kufirit lindor të Rripit të Gazës me Izraelin nën moton “Marshi i Kthimit të Madh” me rastin e “Ditës së Tokës”, 42-vjetorit të pushtimit të një pjese të madhe të territoreve palestineze nga ana e Izraelit më 30 mars të vitit 1976.
Tubimet janë pjesë e një demonstrate gjashtë-javore që do të kulmojë më 15 maj. Kjo ditë do të shënojë 70 vjetorin e krijimit të Izraelit, ngjarje që palestinezët i referohen si “Nakba” ose “Katastrofa”.
Demonstruesit kërkojnë që refugjatëve palestinezë t’u jepet “e drejta e kthimit” në qytetet dhe fshatrat e tyre në Palestinën historike, nga e cila u dëbuan në vitin 1948 për t’i hapur rrugën krijimit të shtetit të ri të Izraelit.