Bankat komerciale që operojnë në Kosovë, kanë kamatat më të larta të kredive në gjithë rajonin dhe në këtë mënyrë po pamundësojnë zhvillimin ekonomik përmes sektorit privat, thonë njohës të çështjeve ekonomike.
Musa Limani, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se këto kamata nuk po lejojnë që subjektet ekonomike t’i zgjerojnë veprimtaritë e tyre, të hapin vende të reja pune, e rrjedhimisht edhe të ulin shkallën e papunësisë dhe varfërisë.
“Për nivelin e zhvillimit ekonomik, të cilin e ka Kosova, këto norma të interesit për dhënien e kredive janë shumë të larta. Me këto norma të larta, me politikën kreditore nuk nxitet biznesi vendor, përkundrazi e ngarkon shumë biznesin vendor, pasi përmes kësaj norme i merret një sasi shumë e madhe e të hyrave, fitimit subjekteve ekonomike”, thotë Limani.
Sipas disa organizatave joqeveritare, bizneset përbëjnë përqindjen më të lartë të kredive të përgjithshme në institucionet financiare në vend. Po sipas tyre, normat e kredive sillen nga 11 deri në 24 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë.
Kjo përqindje e kamatave të kredive, po dëmton komunitetin e biznesit, konsideron edhe Mejdi Bektashi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës.
“Këto norma të larta të interesit e dëmtojnë mjaft komunitetin e biznesit, sepse edhe investimet e reja edhe huazimet e bizneseve nga bankat komerciale janë shumë vogla për shkak të çmimit të lartë të interesit”, thekson Bektashi.
Por, eksperti tjetër i ekonomisë, Musa Limani, vlerëson se këto norma po shkatërrojnë bizneset private, pasi, sipas tij, në pamundësi të kthimit të kësteve të kredive, biznese të ndryshme po falimentojnë.
“Kanë marrë kredi në vlera të mëdha dhe, normalisht, në mungesë të afarizmit pozitiv, nuk janë në gjendje që t’i kthejnë këstet dhe hyrja në borxh e tyre i ka sjellë në falimentim, që është në dëm të bizneseve, jo vetëm të firmës, por në dëm të ekonomisë së Kosovës. Ky duhet të jetë si reflektim për Qeverinë e Kosovës, se duhet të ndërrohet kjo politikë kreditore”, vlerëson Limani.
Sidoqoftë, ekonomistët thonë se kamatat e larta, paraqiten barrë e madhe financiare për të gjithë kredimarrësit, e në veçanti për bizneset që konsiderohen si promotor i zhvillimit ekonomik./koha/kohaislame