Danske Bank përballet me hetim për aktivitete kriminale nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA, për pastrimin e 200 miliardë eurove që përfshin njësinë e bankës daneze në Estoni. Banka më e madhe në Danimarkë deklaroi se ka marrë kërkesë për informacion nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA në lidhje me hetimin në njësinë e Estonisë.
Banka, që emëroi Jesper Nielsen si ekzekutiv të përkohshëm pas dorëheqjes së Thomas Borgen, bëri të ditur se po bashkëpunon me autoritetet amerikane. Aksionet e Danske Bank ranë me 3% në 160 krona, apo 24.6 dollarë, që është niveli më i ulët që prej Janarit 2015. Vlera në treg e bankës ka regjistruar një rënie me 33% deri më tani për vitin, ndërkohë që investitorët dhe konsumatorët kanë monitoruar hetimin amerikan dhe vendimin e bankës për të ndaluar programin e riblerjes së aksioneve. Kryetari i Bashkisë së Kopenhagenit, Frank Jensen, tha se kryeqyteti danez po sheh për mënyra që të shkëpusë bashkëpunimin me Danske Bank, si rezultat i skandalit, raporton Reuters.
Analistët flasin për një gjobë prej 6 miliardë dollarë, por që nuk ka gjasa ende pasi nuk janë zbuluar ende thyerje të rregullave. Banka franceze BNP Pariba mori një gjobë prej 8.9 miliardë dollarë nga autoritetet amerikane në vitin 2015, për shkeljen e sanksioneve në Sudan, Kuba dhe Iran. Shumica e llogarive jo-rezidente në degën në Estoni janë mbajtur nga ente apo individë rusë, që janë subjekt i sanksioneve amerikane. Bankat që bëjnë biznes në Estoni, kanë menaxhuar më shumë se 1 trilionë dollarë transaksione përtej kufijve nga 2008-a në vitin 2017, sipas Bankës Qendrore të vendit.