1.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Banja Luka rinderton simbolin e kthimit të muslimanëve

Më të lexuarat

Rindërtimi i xhamisë së Banja Lukës sinjalizon tolerancën e përtëritë fetare dhe bashkë-jetesën në komunitet.

Restaurimi i objekteve fetare nga gërmadhat e konfliktit të armatosur të viteve 1990 në Ballkan tregon kthimin e refugjatëve e ringjalljen e komuniteteve fetare e etnike në zonat ku jetonin përpara konfliktit.

Ndërtimi i xhamisë së famshme Ferhadija të Banja Lukës. e cila u shkatërrua më 1993, flet për rritjen e popullsisë muslimane në zonë.

Muhamed Salkiç, sekretar i përgjithshëm i Komunitetit Islamik të BiH-së, tha se punët përfundimtare për Fehradijen duhet të përfundojnë deri në fillim të vitit të ardhshëm, me xhaminë që do t’i kthehej pamja e saj origjinale.

“Ndërtimi ishte i rëndë dhe i vështirë. Por kjo xhami tani do të thotë mjaft për refugjatët që janë kthyer në zonë. Përpara konfliktit, Banja Luka kishte një shkallë të lartë të tolerancës dhe bashkë-jetesës fetare, e cila u zhduk dhe u shkatërrua bashkë me Feradijen … Kjo tolerancë po kthehet tani ngadalë e shpresojmë se një veprim i tillë jo-njerëzor nuk do të ndodhë përsëri,” i tha Salkiç SETimes.

Alemi, ornamenti i xhamisë në krye të kupolës së saj kryesore, u vu në vend kohët e fundit. Kemal Guniç, president i shoqatës për kthimin e refugjatëve të Banja Lukës, tha se u gëzua shumë kur pa alemin e Ferhadijes të ngrihej përsëri.

“Njerëzit që ikën nga Banja Luka gjatë konfliktit të armatosur morën një gur nga xhamia e shkatërruar me vete, një gjest që thotë sese sa shumë kuptim kishte kjo xhami për ta. Sot, kjo xhami përfaqëson kthimin e muslimanëve në Banja Lukë. Ka ende mjaft probleme që të kthyerit ndeshin, më së shumti papunësia, por Ferhadija do të ishte një simbol i fillimit të ri të të gjithë njerëzve në Banja Lukë,” i tha Guniç SETimes.

Ndërtesat e simbolet e besimit në konfliktin e armatosur të viteve 1990 ranë nën goditje po aq sa edhe njerëzit e qeveritë.

“Feja është parë si një veçori dalluese e një grupi të posatçëm etnik. Kjo është se pse u synuan objektet fetare. Nuk duhet të harrojmë se përveç politikanëve e ushtarakëve, udhëheqësit fetarë kontribuan gjithashtu në krijimin e atmosferës shkatërruese. Restaurimi i Ferhadijes e ndërtesave të tjera fetare përfaqëson një fitore të gjykimit të shëndoshë,” i tha SETimesMirko Gjorgjeviç, profesor i sociologjisë e fesë në Universitetin e Beogradit.

Sipas zyrtarëve islamikë të BiH-së, Ferhadija është një nga 614 xhamitë e shkatërruara në konfliktin e armatosur të BiH-së në vitet 1990. Shumica e xhamive janë rinovuar, por gati 100 kanë ende nevojë për rindërtim.

Jo vetëm xhami u shkatërruan në konfliktin e armatosur. Më shumë se 125 kisha ortodokse u shkatërruan e 269 objekte fetare të kishës katolike të BiH-së u shkatërruan gjithashtu nga 1991 deri më 1995.

At Danilo Pavloviç, një abat në manastirin Zhitomisliç në Mostar, tha se manastiri u rindërtua më 2006.

“Manastiri u shkatërrua krejtësisht me dinamit më 1992. Në eparkinë ortodokse të Hercegovinës rreth 30 manastire e kisha u shkatërruan gjatë luftës. Me shkatërrimin e manastireve, kishte një përpjekje për të shkatërruar çdo gjurmë të çdo ortodoksie në zonë. Por me restaurimin e manastirit nisi rindërtimi i shtëpive të shkatërruara e refugjatët po kthehen ngadalë në këtë zonë. Jeta po kthehet në Mostar,” i tha Danilo SETimes.

Në Kroaci, 50 kisha ortodokse e manastire u shkatërruan gjatë konfliktit të armatosur të viteve 1990, ndërsa 22 kisha katolike u shkatërruan vetëm në zonën e Zagrebit.

Gjatë turbullirave të 2004-trës në Kosovë, u shkatërruan rreth 35 manastire e kisha serbe. Në të njëjtën kohë, u dogjën krejt xhamia Bajrakli e Beogradit e xhamia Hadroviç në Nish.

Përpjekjet e rindërtimit dhe restaurimit për ndërtesat fetare vazhdojnë./SET

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit