Tregohet se romakët, në luftën e zhvilluar kundër muslimanëve, e kishin kapur djalin e një gruaje plakë. Çdo ditë që kur ai kishte shkuar në luftë, nëna plakë e shikonte djalin e saj, por më kot, ai nuk po kthehej, dhe ajo më nuk e dinte se a ishte i gjallë apo i vdekur.
Një ditë, në derën e nënës plakë trokiti një njeri i varfër dhe e luti që t’i jepte pak ushqim. Edhe pse ajo ishte e varfër dhe nuk kishte ushqim të mjaftueshëm për vete, plaka ia solli atë që kishte dhe i dha të varfrit për të ngrënë. Derisa ia zgjati enën me ushqim, plaka i bëri lutje Allahut: “O Allah, ma kthe djalin tim!”
Disa ditë pas kësaj, djali i saj u kthye, dhe nëna plakë u gëzua pa masë. Kur djali i tregoi se kishte qenë në robëri, plaka e pyeti se a ishin liruar edhe të gjithë të burgosurit e tjerë. Djali u përgjigj: “Jo, vetëm mua më kanë liruar.” Nëna u habit me këtë dhe e pyeti se si është e mundur, kurse djali i shpjegoi asaj se si kishte ardhur deri te lirimi i tij:
“Derisa isha i robëruar, me pranga në këmbë, papritmas plasi zinxhiri dhe u shpërbë. Rojtarët u habitën nga kjo dhe pyeten se kush e kishte thyer, por pasiqë nuk morën përgjigje, përsëri më prangosën me zinxhirë të rinj. Mirëpo, hallkat në zinxhir pëlcitnin njëra pas tjetrës. Atëherë ata vendosën t’i informojnë priftërinjtë e tyre për gjithçka, dhe prej tyre të kërkojnë sqarim për të.
Kur një prift u njoftua me situatën, ai më pyeti: “A e ke nënën që i frikësohet Zotit?”
Unë u përgjigja: “Po, e kam.”
Atëherë prifti më tha: ‘Është e mundur që ajo ka bërë lutje për ty!’ Dhe atëherë më liruan.”
Atëherë nëna e pyeti: “Kur kanë pëlcitur zinxhirët?” Dhe kur ai i tregoi asaj se kur kishte ndodhë, nëna e kuptoi se ajo kishte qenë në ditën dhe momentin e njëjtë, kur ajo i kishte dhënë ushqim të varfrit.
*****
Ne kemi nevojë që t’i afrohemi Allahut të Plotfuqishëm me ndonjë vepër të mirë, ashtu që sa herë që të jemi në ndonjë vështirësi, mund të themi: “O Allahu im, largoje nga unë këtë vështirësi, për shkak të veprave që kam bërë në emrin Tënd.”
Le ta kujtojmë Allahun në lehtësi, dhe Ai do të na kujtojë neve kur të jemi në vështirësi.
Nga ligjërata e Dr. Muhamed El-Arefi; N-um.com
Përkthim: Miftar Ajdini