Teorikisht më 2025 dy shtete të Ballkanit mund të anëtarësohen në BE, sipas strategjisë së re të Komisionit të BE. Ekspertët e Europës Juglindore e vlerësojnë sinjalin si të drejtë, por edhe e kritikojnë procesin. Premtimi është bërë që në vitin 2003, kur BE i zgjati dorën Ballkanit Perëndimor dhe e ftoi për anëtarësim. Por hovi i atëhershëm ka rënë, shkëlqimi është zbehur. Kush, kur dhe si duhet të hyjë në BE, kjo është e paqartë dhe duket se i përket një të ardhmeje të largët. “Premtimi i 2003-shit në Selanik kishte kohë që nuk ishte më i besueshëm”, thotë për DW Gernot Erler, ish-ministër shteti dhe president i Shoqatës së Evropës Juglindore.
Sipas Erler-it, kjo mungesë beseueshmërie i kishte bërë këto shtete më të ndjeshme për ndikime nga jashtë. Në këtë garë strategjish, “ka pasur në të kaluarën përpjekje serioze nga Kina, Rusia, Turqia dhe vendet arabe për të patur ndikim në Ballkanin Perëndimor ” thotë Erler, i cili si edhe ekspertët e tjerë ndodhej më 9./10. shkurt në Berlin, në konferencën vjetore të Shoqatës së Evropës Juglindore. Ai përshëndet faktin që strategjia e re e komisionit ka edhe një plan veprimi konkret në të cilin mund të marrë pjesë gjithkush.
Më kritik është gjykimi i Forian Bieber-it, drejtuesi i Qendrës së Europës Juglindore në Grac. “E mirë në diagnozë, por e dobët në propozime”, jep vlerësimin profesori i Evropës Juglindore. E mirë është strategjia, sepse aty komisioni për herë të parë identifikoi problemet në rajon. Flitet për ndikimin e interesave private në sektorin publik (state capture), për krimin e organizuar, për korrupsionin, për probleme me shtetin ligjor. Por e dobët, sepse propozimet janë ca si të papërpunuara, mendon Bieber. “Duket se rrefuzojnë të konfrontohen me ata që i shkaktojnë problemet”.
Elita problematike
Dhe sipas Bieber-it shkaktarë të problemeve janë shpesh elitat sunduese. Bieber paralajmëron që në realizimin e kësaj strategjie BE të mos fokusohet vetëm te to dhe ta anashkalojë opozitën demokratike.”Duhet patur kujdes që opozita të mos shkasë në një diskurs antieuropian nacionalist ”, thotë Bieber. Kjo vlen si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë: “Dhe do të jetë rrezik shumë i madh, nëse Bashkimi Evropian do ta shohë veten aleat të autokratëve, ndërsa opozita, që përpiqet të bëjë kritikë demokratike, do të dalë e humbur”.
Edhe deputeti socialdemokrat, Josip Juratovic, sheh një problem të madh te elitat që qeverisin Ballkanin. Ka shumë politikanë që “nuk duan aspak të shkojnë drejt BE, sepse në BE ata do të gjejnë një sistem të rregulluar, një shtet ligjor, një shoqëri të rregullt dhe në këtë shoqëri ata nuk kanë shanse”, thotë Juratovic, i cili preferon t’ua kalojë përgjegjësinë vetë qytetarëve: “Si njerëzit, ashtu edhe politika”, shprehet ai me keqardhje dhe thekson se megjtihatë, janë qytetarët ata që duhet ta shpëtojnë situatën: “Ne nuk duam koloni, por partnerë në sensin demokratik”.
Anëtarësim vetëm kur të plotësohen kushtet
Për deputetët e Bundestagut është e qartë që në BE hyn vetëm kush përmbush kushtet. Prandaj edhe Manuel Sarrazin, deputet i Të Gjelbërve në parlamentin federal të Gjermanisë, e shikon datën 2025, për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi, jo si një premtim fiks, por si një detyrim, për politikanët vendas për të dëshmuar se deri atëherë duhet të kenë arritur diçka: “Nëse deri në vitin 2025 elitat politike nuk sjellin rezultatet e kërkuara, atëherë ato duhet t’u japin llogari zgjedhëseve dhe zgjedhësve të tyre se përse nuk e kanë bërë, megjithëse kishte qenë e bëshme”, thotë Sarrazin.
Peter Beyer, deputet i grupit parlamentar të Unionit Kristdiandemokrat e Kristiansocial (CDU/CSU) është për parimin e kushtëzimit, si të vetmin kriter anëtarësimi: “Kjo do të thotë se duhen zbatuar reformat konkrete në sektorin publik, në sektorin judirik, luftimin e krimit të organizuar, të korrupsionit dhe jo vetëm duke miratuar ligje, por duke i vënë ato në jetë”.
Kritikë ndaj parimit të garës
Michael Schmunk mendon se nuk është mirë që Serbia dhe Mali i Zi të hyjë në BE para të tjerëve. Diplomati gjerman ka qenë përfaqësues i Gjermanisë në Sarajevë dhe Prishtinë, dhe është sot ekspert për Europën Juglindore në disa institucione këshilluese. “Sepse atëherë ata katër që mbeten pas, sidomos Kosova dhe Bosnja, do ta kenë më të vështirë të hyjnë në BE”, thotë Schmunk, edhe duke pasur parasysh mungesën entuziazmit për raunde të mëtejshme zgjerimi brenda BE. Ai madje propozon që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen bashkë dhe të zhvillojnë një strategji kundër skepticizimit: „Unë besoj se atëherë po, që kanë shans që një ditë të anëtarësohen në BE në grup së bashku.”/DW/