14.7 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Ballkani një fushë testimi për politikat e jashtme dhe sigurisë të BE-së

Më të lexuarat

Politikat e përgjithshme të jashtme dhe sigurisë të Bashkimit Evropian lindën gjatë periudhës së viteve të 90-të me luftërat e jetuara në territoret e ish-Jugosllavisë.

Gjatë periudhës së luftërave rajoni i Ballkanit pothuajse shërbeu si një fushë testimi për politikat e jashtme të Bashkimit Evropian. Në saje të përvojave të fituara në këtë rajon Brukseli u bë më kompetent për kërkimet e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit. Nga aspekti i Bashkimit Evropian përvojat e fituara në këtë rajon shërbejnë edhe si një mjet për të ndjekur politika më efektive në nivelin global.

Nevoja për bashkëpunim e vendeve të Evropës Perëndimore në politika të jashtme dhe në mbrojtje u shfaq nga mesi i shekullit të 20-të. Pushtimi i Koresë së Jugut nga ana e Koresë së Veriut në vitin 1950 dhe aventurat e Stalinit në Evropën Qendrore ushqyen idetë për nevojën e integrimit të Evropës Perëndimore edhe në fushën e mbrojtjes. Mirëpo disa vende evropiane, me në krye Anglinë, nuk ishin të gatshëm për kompromis të sovranitetit të tyre kombëtar dhe kjo bëri që iniciativat për formimin e Komunitetit Evropian të Mbrojtjes dhe të Bashkimit Politik Evropian të dështojnë.

Më pas evropianët u detyruan ta presin Marrëveshjen e Maastricht-it për të vendosur bashkëpunimin në fushat e politikave të jashtme dhe të mbrojtjes. Marrëveshja e Maastricht-it, e cila hyri në fuqi në vitin 1993 përbëhej prej 3 neneve të cilat krijuan Bashkimin Evropian. Neni i dytë i marrëveshjes në fjalë ka të bëjë me Politikat e përbashkëta të Jashtme dhe Sigurisë.

Luftërat e jetuara në territoret e ish-Jugosllavisë gjatë viteve të 90-ta kanë qenë sfida e parë për Politikat e përbashkëta të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian. Megjithatë Bashkimi Evropian gjatë asaj periudhe nuk tregoi sukses të madh në Ballkan. Arsyeja kryesore e kësaj është se vendet anëtare të unionit nuk arritën të ndjekin politika produktive në rajon për shkak të interesave të tyre.

Për këtë arsye për zgjidhjen e krizës së Ballkanit u ndje nevoja për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa kjo gjendje dëmtoi imazhin e Bashkimit Evropian. Sidoqoftë Bashkimi Evropian gjatë viteve të 90-ta u ndikua nga luftërat e jetuara në Ballkan, nga krimet e organizuara dhe nga elementet e ngjashme. Si rezultat i kësaj, përpjekjet për zhvillimin e politikave të përbashkëta të jashtme dhe të sigurisë morën shtysë.

Nuk ishin vetëm luftërat e jetuara në Ballkan ato prej të cilave mori mësim Bashkimi Evropian. Unioni vazhdoi të jetë vazhdimisht i pranishëm në Ballkan edhe në periudhën e pasluftës nga aspekti politik, ekonomik dhe ai ushtarak. Një numër i madh i misioneve policore dhe ushtarake ndërkombëtare, në Maqedoni, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë, u vazhduan nga misionet e ndryshme të Bashkimit Evropian. Brukseli zyrtar me përpjekje të NATO-s në njërën anë bëri përpjekje për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në vendet e Ballkanit, e në anën tjetër përkrahu edhe tranzicionet e shoqërive të vendeve të rajonit, gjithashtu përfshiu tërë rajonin në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Të gjitha këto ishin një fushë për të fituar përvoja të rëndësishme në politikat e përbashkëta të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian. Autoritetet e Brukselit duke u bazuar në këtë përvojë besojnë se Bashkimi Evropian do të mund të japë kontribute të rëndësishme për kërkimin e paqes dhe stabilitetit në rajone të ndryshme.

Siç dihet Marrëveshja e Lisbonës e vitit 2009 forcoi edhe më shumë politikat e përbashkëta të jashtme dhe sigurisë të Bashkimit Evropian. Me formimin e Përfaqësisë së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikat e Jashtme dhe Siguri, gjithashtu të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS), Brukseli shpreson të ketë më shumë zë në botë si aktor global. Mirëpo që Bashkimi Evropian ta dëshmoj besueshmërinë e tij si një aktor global atëherë duhet të jetë më i suksesshëm në Ballkanin Perëndimor, që njihet edhe si kopshti i parëm i unionit.

Brukseli, i cili është i vetëdijshëm për këtë, vazhdon me përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Është e qartë se politikat që ndjek Brukseli në rajon në përgjithësi kanë efekt shërues për marrëdhëniet. Kështu që vizitat reciproke dhe projektet e përbashkëta që zhvillohen paraqesin një shembull të mirë të ndryshimeve në dialog mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Mirëpo nga aspekti i Bashkimit Evropian në Ballkan ndodhen ende probleme të rëndësishme politike që presin zgjidhje. Para së gjithash Brukseli duhet të gjejë një mënyrë për heqjen e pengesës së Greqisë para Maqedonisë, e cila bën përpjekje për të filluar negociatat e anëtarësimit në BE. Edhe sikur Bashkimi Evropian të arrij ti gjejë zgjidhje problemit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, është shumë vështirë që Brukseli ti gjejë zgjidhje problemeve të Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit