1.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

“Ballkani ka një vend të veçantë në politikën e jashtme të Turqisë”

Më të lexuarat

Në referatin e tij ambasador Yörük, u fokusua në disa çështje, si në rolin e Turqisë në organizatat ndërkombëtare, ndihmën e saj humanitare për njerëzit në nevojë në të gjithë botën, si dhe rolin dhe marrëdhëniet me vendet e Ballkanit

 

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, mbajti një leksion të hapur për studentë dhe pedagogë me temë “Dimensionet nismëtare dhe humanitare të politikës së jashtme turke”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në referatin e tij në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, ambasadori Yörük, u fokusua në disa çështje, si në rolin e Turqisë në organizatat ndërkombëtare, ndihmën e saj humanitare për njerëzit në nevojë në të gjithë botën, si dhe rolin dhe marrëdhëniet me vendet e Ballkanit

Ambasadori në fillim të fjalës së tij tha se duke u mbështetur në aftësitë e saj në rritje, Turqia përpiqet të përgjigjet në mënyrë efektive ndaj sfidave të ditëve të sotme, në mënyrë të përcaktuar dhe parimore.

“Turqia ndjek një politikë të jashtme humanitare, e cila ka një shtrirje mbarëbotërore në të gjitha rajonet dhe partnerët rreth saj. Turqia ndërmerr iniciativa konkrete për të nxitur stabilitetin dhe prosperitetin në rajonin e saj dhe më gjerë. Turqia është një aktor që synon të rrisë lidhjet e saj dhe bashkëpunimin me të gjithë partnerët për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin”, tha ambasadori Yörük.

Ai tha se prioritetet e politikës së jashtme të Turqisë përfshijnë forcimin e sigurisë rajonale dhe stabilitetit, luftën kundër terrorizmit, mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve turq, thellimin e lidhjeve strategjike të vendit me të gjitha gjeografitë, bashkëpunimin brenda organizatave rajonale dhe ndërkombëtare dhe çështje të tjera.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë tha se terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm, radikalizimi, ksenofobia, emigracioni i paligjshëm, luftërat tregtare, ndryshimet klimatike, etj, janë disa nga rreziqet e kohëve të sotme. Sipas tij, shumë rajone janë të prekur nga rreziqe dhe kërcënime të ndryshme dhe duke pasur parasysh vendndodhjen gjeopolitike, rajoni i Ballkanit nuk është i imunizuar nga këto sfida.

Ai tha se Turqia ka një traditë të fortë për t’iu përgjigjur sfidave dhe rreziqeve për shkak të historisë dhe kulturës së saj. “Turqia ka përqafuar njerëz të panumërt në kushte të vështira për shkak të fatkeqësive natyrore, luftës, varfërisë dhe konflikteve etnike gjatë gjithë historisë. Bazuar në një trashëgimi të tillë, Turqia ka vazhduar të ofrojë ndihmë humanitare duke e parë atë si një “detyrë humanitare” dhe një komponent kyç për të siguruar stabilitetin e rendit ndërkombëtar”, tha ambasadori turk. Sipas tij, diplomacia humanitare është një tjetër aspekt i politikës së jashtme turke.

– “Ballkani ka një vend të veçantë në politikën tonë të jashtme”

Duke folur për Ballkanin, ambasadori turk tha se Ballkani ka një vend të veçantë në politikën e jashtme turke.

“Turqia ka lidhje të thella historike me vendet e Ballkanit dhe me njerëzit në rajon. Prioriteti ynë për Ballkanin është stabiliteti dhe prosperiteti. Ne vazhdojmë të zhvillojmë marrëdhëniet tona me rajonin në të gjitha fushat përmes mekanizmave të ndryshëm. Shembuj konkretë i kontributeve të fundit të Turqisë për bashkëpunimin rajonal janë mekanizmat trepalësh të konsultimeve të bazuara në nismën tonë midis Turqisë, Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Serbisë dhe midis Turqisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinës. Këto mekanizma synojnë të përmirësojnë paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Bosnje dhe Hercegovinë nga njëra anë dhe ndihmojnë transformimin e të gjithë Ballkanit në një rajon më të qëndrueshëm nga ana tjetër”, tha ai.

– “Marrëdhëniet Turqi-Shqipëri janë të rëndësishme në çdo fushë”

Ambasadori turk në lidhje me marrëdhëniet Turqi-Shqipëri, tha se Shqipëria është më shumë se një partner i vlefshëm rajonal dhe një aleat i NATO-s për shtetin turk. “Shqipëria është një mik i respektuar. Marrëdhëniet tona janë si mes shteteve ashtu edhe mes popujve. Marrëdhëniet tona bilaterale me Shqipërinë janë të rëndësishme në çdo fushë. Qeveria e Shqipërisë e ka shpallur Turqinë si një nga partnerët e saj strategjikë në vitin 2013. Turqia i konsideron marrëdhëniet e saj me Shqipërinë në përputhje me këtë qëndrim dhe zhvillon investimet, tregtinë, kulturën dhe aktivitetet e tjera të përbashkëta në bashkëpunim të ngushtë me palën shqiptare”, tha ai.

“Marrëdhëniet tona me Shqipërinë sot zhvillohen brenda skenës aktuale politike globale, por kurrë nuk mund t’i harrojmë lidhjet historike të pasura që ndajmë. Shumë figura të shquara në historinë tonë të përbashkët kontribuuan shumë në përparimin intelektual, politik, administrativ dhe ushtarak si në Turqi dhe në Shqipëri. 33 nga 218 vezirët e mëdhenj me origjinë shqiptare kanë shërbyer në administratën osmane. Nga ana tjetër, lidhjet kulturore dhe shoqërore të vendosura gjatë këtyre kohëve kanë mbijetuar deri në ditët tona, duke i lidhur dy vendet tona dhe popujt. Ka miliona qytetarë turq me origjinë shqiptare që jetojnë aktualisht në Turqi, një shembull konkret i lidhjeve të pandara”, tha më tej ambasadori turk.

Ai shtoi se investimet turke në Shqipëri janë në disa sektorë, si në energji, infrastrukturë, aviacionin civil, financat dhe telekomunikacion.

Turqia është bërë vendi më i madh që strehon refugjatët në botë, tha ai, dhe se ishte vendi donator më i madh i ndihmave humanitare në botë në vitin 2017 dhe vendi më bujar, duke u marrë në konsideratë të ardhurat kombëtare.

Turqia po ndjek një politikë të dyerve të hapura për sirianët, tha ambasadori turk, të cilët u detyruan të iknin nga vendi i tyre për shkak të luftës, duke theksuar se mbi 3.5 milionë sirianë janë aktualisht të pranishëm në Turqi, ndërsa Turqia ka shpenzuar 33 miliardë dollarë, duke përfshirë edhe komunat dhe organizatat joqeveritare turke.

Ambasadori turk në fund të leksionit të hapur zhvilloi një bashkëbisedim me pyetje dhe përgjigje me studentët e pranishëm. Gjithashtu ambasadori Yörük realizoi një takim edhe me dekanin e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Prof.Dr Sabri Laçi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit