Nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës nuk janë shumë të interesuar që t’i studiojnë gjuhët e huaja dhe drejtimet e shkencave ekzakte. Kjo vërehet në konkurset të cilat i shpall Universiteti i Prishtinës.
Në to plotësimi i numrit të studentëve nuk arrin normën as dyzetë për qind.
Ndër drejtimet e preferuara për të rinjtë vazhdojnë të jenë Fakulteti Ekonomik,Juridik, i Edukimit si dhe Fakulteti i Mjekësisë.
Por për këto drejtime gjatë konkursit për pranim gjatë këtij viti nuk do të ketë lajme shumë të mira për nxënësit.
Kjo ngase Ministria e Arsimit ka vendosur që t’i zvogëlojë kuotat e pranimit në konkurset për aplikim në fakultet si Ekonomik dhe Juridik.
Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka thënë për Indeksonline se këto fakultete tashmë kanë dorëzuar në këtë ministri propozimet e tyre lidhur me kuotat për pranim të studentëve.
“Kanë ardhur propozimet nga të gjitha fakultetet për kuotat e studentëve të cilët do të pranohen në Universitete për konkurs. Do të shkurtojmë numrin e studentëve për Juridik, ekonomik, për shkenca shoqërore dhe do të rrisim numrin e studentëve për shkencat ekzakte. Ky është një orientim sepse ne jemi duke e përshtatur Ministrinë e Arsimit me tregun punës”, ka thënë Bajrami për Indeksonline.
Ndërkaq edhe njohësit e çështjeve ekonomike kanë reaguar kohë më parë lidhur me numrin e madh të të diplomuarve në fakultetet si Ekonomik dhe Juridik. Sipas tyre tregu i Kosovës nuk ka kapacitete të mjaftueshme për t’i absorbuar të diplomuarit nga Ekonomiku e Juridiku.
Nga ana tjetër Arsim Bajrami ka bërë të ditur se Ministria që ai e drejton ka kërkuar që Fakulteti i Edukimit të shndërrohet në një fakultet të fuqishëm me kuadro për mësimdhënie.
“Kemi kërkuar që fakulteti i edukimit të shndërrohet në një fakultet të fuqishëm i cili do të përgatisë kuadro për mësimdhënie”, ka shtuar Bajrami./Indeksonline/