Për infeksionet virale, nuk ka nevojë për trajtim me antibiotikë. Pacientit i rekomandohet konsumi me shumicë i lëngjeve dhe marrja e ndonjë qetësuesi për dhimbjen, apo temperaturën. Kur infeksioni ka origjinë bakteriale fillohet kura me antibiotikë, që zakonisht zgjat 7-10 ditë. Ndonëse përmirësimi i shenjave ndodh 2-3 ditë pas fillimit të terapisë, por antibiotiku duhet merret deri në përfundim të plotë të kurës. Kjo me qëllim për të shmangur rikthimin e infeksionit në një kohë të shpejtë.
Pranvera Kola -Dita
Infektimi i bajameve në pjesën dërrmuese të rasteve ndodh prej viruseve të shumta që qarkullojnë gjatë kësaj stine. Për trajtimin e rasteve të tilla, mjekët e QSUT-së theksojnë se nuk është i nevojshëm përdorimi i antibiotikëve, sikundër ndodh rëndom në vendin tonë. Marrja e antibiotikëve këshillohet vetëm në rastet kur infeksioni shkaktohet nga bakteret, e kryesisht nga streptokoku A.
Sëmundja është mjaft e shpeshtë gjatë kësaj periudhe, veçanërisht tek vegjlit. Duke qenë se në shumicën e rasteve dhimbja e fytit tek të vegjlit ka natyrë virale, mos u nxitoni në marrjen e antibiotikëve për lehtësimin e simptomave. “Në çdo rast trajtimi varet nga shkaku. Për infeksionet virale, që realisht janë edhe më të shpeshta, nuk ka nevojë për trajtim me antibiotikë. Pacientit i rekomandohet konsumi me shumicë i lëngjeve dhe marrja e ndonjë qetësuesi për dhimbjen, apo temperaturën.
Ndërsa, në rastet kur infeksioni ka origjinë bakteriale, fillohet kura me antibiotikë, që zakonisht zgjat 7-10 ditë. Përmirësimi i simptomave përgjithësisht ndodh 2-3 ditë pas fillimit të terapisë, por antibiotiku duhet merret deri në përfundim të plotë të kurës. Kjo me qëllim për të shmangur rikthimin e infeksionit në një kohë të shpejtë”, sqarohet nga QSUT. Bajamet janë pjesë e sistemit limfatik, i cili qëndron në rreshtin e parë në luftën kundër infeksioneve. Megjithatë, heqja e bajameve nuk do të thotë rritje e ndjeshmërisë ndaj infeksioneve.
Faktorët që ndikojnë në shfaqjen e infeksionit
Sipas mjekëve, shkaku më i zakonshëm janë infeksionet virale, gripi, si edhe viruse të ndryshme të rrugëve të frymëmarrjes. Shkaku i dytë më i zakonshëm janë infeksionet bakteriale të shkaktuara kryesisht nga streptokokët e grupit A dhe B, stafilokokët, mykoplazma, apo edhe difteria, treponema, gonorreja.
Në kushtet e një imuniteti normal, si viruset, ashtu edhe bakteret hyjnë në organizmin e njeriut nëpërmjet hundës dhe gojës, ku më pas janë të filtruar pikërisht nga bajamet. Brenda tyre qelizat e bardha të gjakut që përfaqësojnë sistemin imunitar janë në gjendje të shkatërrojnë viruset ose bakteret.
Gjatë këtij shkatërrimi prodhohen enzima infektuese, të cilat kur janë në sasi të madhe shkaktojnë gjenden ethore. Infeksioni mund të jetë i pranishëm në fyt dhe në zonat përreth tij duke shkaktuar kështu inflamacion edhe në faring.
Njohja e shenjave klinike
Sa i takon simptomave paralajmëruese, bluzat e bardha vënë në dukje se: ndër shenjat karakteristike është temperatura e lartë, e shoqëruar me ethe, dhimbje kockash dhe muskujsh, dhimbje fyti, vështirësi në gëlltitje qoftë edhe për lëngje.
Ka edhe raste të caktuara në të cilat infektimi i bajameve shoqërohet edhe me dhimbje veshi, të cilat janë më shumë si komplikacion i mostrajtimit në kohë të infeksionit.
Zona e bajameve është e mbushur me njolla të bardha, të cilat përfaqësojnë qelbin, teksa bëhet edhe zmadhimi gjëndrave në zonën poshtë nofullave, apo në zonën e qafës. Gjithashtu pacienti ankohet edhe për dhimbje të përgjithshme trupore, ulje të oreksit, si dhe erë të keqe të gojës.
Kur infeksioni është i menjëhershëm, sipërfaqja e bajameve mund të jetë në ngjyrë të kuqe të ndritshme dhe me zona të dukshme të bardha, apo vija qelbi.
Tek fëmijët mund të vihen re edhe të vjella, të përziera apo dhimbje abdominale. Zakonisht sëmundja zgjat 2-4 ditë, por mund të shkojë deri në 2 javë edhe kur pacienti është në terapi.
Vendosja e diagnozës dhe ndërlikimet që shkakton infektimi i bajameve
Diagnoza dhe përcaktimi i mikrobit shkaktar bëhet nëpërmjet kulturës së fytit (merret material nga dy sipërfaqet e bajameve (tonsilave dhe nga muri i pasmë i faringut). Ndjeshmëria e këtij ekzaminimi shkon deri në 98 për qind. Identifikimi i mikrobit kërkon 24-48 orë kohë.
Përveç kulturës bakteriale ndihmojnë shumë në përcaktimin e diagnozës edhe ekzaminime të tjera laboratorikë të gjakut.
Infeksioni i bajameve duhet trajtuar mirë, pasi në të kundërt shoqërohet me ndërlikime të shumta. Konkretisht, mjekët thonë se nga një trajtim jo i përshtatshëm, në mënyrë të veçantë kur shkaktari është streptokoku i grupit B, ndërlikimet që rrezikon pacienti kanë të bëjnë me:
“Shfaqjen e artritit reumatoid, infeksionet në zemër (endokarditi, miokarditi), infeksionet në veshka, infeksione të veshit, dhimbje të koka dhe sinusitet.
Gjithashtu një tjetër komplikacion mjaft i shpeshtë është edhe ajo që njihet si abscesi, ose grumbullimi i qelbit në pjesët anësore të bajameve, që ndodh pak ditë pas evidentimit të infeksionit që ka prekur bajamet.
Rastet kur duhet të veprohet me heqjen e bajameve
Në rastet kur ndërlikimet janë bërë të vazhdueshme këshillohet edhe heqja e tyre. Kështu, kur kemi të bëjmë me rastet e infeksioneve kronike, që përcaktohen nga 7 episode të ndodhura brenda një viti, mund të rekomandohet heqja e bajameve, gjithmonë me konsultën e mjekut specialist.
Pacientët, të cilët kanë hequr bajamet janë ende të mbrojtur nga infeksionet si rezultat i aktivitetit të pjesës tjetër të sistemit imunitar (bajamet janë vetëm një pjesë e këtij sistemi). Nëse mjekimi bëhet në kohën e duhur, ecuria e këtyre infeksioneve është mjaft e mirë.
Kujdesi për infeksionin e bajameve
- Infeksionet e bajameve duhen trajtuar me shumë kujdes për të shmangur ndërlikimet e mëvonshme. Natyrisht trajtimi bëhet në bazë të shkakut dhe ekzaminimeve laboratorike dhe në mënyrë të veçantë në bazë të rezultatit të kulturës së fytit, e cila përcakton edhe llojin e antibiotikut ndaj të cilit janë të ndjeshëm bakteret shkaktare.
- Në rastin e infeksioneve virale nuk duhet të përdoren antibiotikë. Sipas bluzave të bardha, duke qenë se shkaktari kryesor i bajameve janë infeksionet virale, duhet të hiqni dorë nga përdorimi i antibiotikëve në lehtësimin e simptomave. Në këto raste mjafton kujdesi parandalues. Çka do të thotë se mënyra më e mirë për t’i parandaluar janë respektimi i rregullave të higjienës. Mënjanimi i vendeve të mbyllura dhe shumë të populluara gjatë periudhave të virozëve. Kjo veçanërisht në rastet e fëmijëve, tek të cilët infeksioni lë edhe më shumë pasoja për shkak të imunitetit të dobët.
- Infeksioni bakterial nga streptokoku i grupit A është sëmundje infektive, 24-orëshin e parë pacienti duhet izoluar për të mos përhapur infeksionin tek pjesëtarët e familjes apo shokët e punës. Në këto raste këshillohet përdorimi i antibiotikëve, sipas recetës së përshkruar nga mjeku specialist. Gjithashtu duhet të bëni kujdes edhe me parandalimin, ku këshillohet që të mbani fëmijën e sëmurë në shtëpi derisa të këshillojë mjeku, në mënyrë që të shmanget kontamini i fëmijëve të tjerë.
- Pjesë e rëndësishme e trajtimit të këtij infeksioni është edhe qetësimi i simptomave klinike, si për shembull përdorimi i paracetamolit, apo ibuprofenit në rastin e temperaturës së lartë dhe dhimbjes së kockave.
- Mjaft pozitive në kushtet e shtëpisë rezulton të jetë edhe gargara me ujë me kripë, e cila çon në lehtësimin e dhimbjeve të shkaktuar, si dhe ënjtjes së bajameve.
- Gjithashtu mund të përdoren edhe tableta dezinfektuese që treten në gjuhë (septolet, mentol, etj).
- Gjatë kësaj periudhe është e rëndësishme të përdoren lëngje të ngrohta (jo të nxehta) gjatë gjithë ditës, për të lehtësuar gëlltitjen dhe për të qetësuar temperaturat e larta.
- Infeksioni i bajameve mund të zgjasë 1 deri në 3 jave në varësi të shkaktarit. Në rastet kronikë ato mund të trajtohen me heqjen kirurgjikale të tyre. Përcaktimi i mjekimit, apo vendimi për heqjen e bajameve i takon vetëm mjekut specialist. Asnjëherë mos u drejtoni në farmaci për të zgjedhur antibiotikun. Duhet të merret vetëm me recetën e mjekut.
- Doza të larta të vitaminës C rekomandohen të merren përgjatë gjithë periudhës së ftohtë. Kjo vitaminë shërben për të rritur efikasitetin e luftës ndaj infeksionit. Rëndësi ka në jetën e përditshme forcimi i sistemit imunitar nëpërmjet një ushqyerje të shëndetshme dhe aktiviteti të përditshëm sportive.