2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Babai i Ajshes: Isha prishur me Shabanin që në 2008

Më të lexuarat

 

 

 

 

Pas arrestimit të Shaban Norjes, grupi hetimor ka rimarrë në pyetje Muhamet Vatën, babai i Ajshe Vatës, 18-vjeçarja e masakruar ditë më parë në afërsi të banesës së saj. 

Babai i shtatë fëmijëve, gjashtë vajzave dhe një djali, nga dy martesa, ka rrëfyer se ishte konfliktuar me Shabanin në vitin 2008. Konflikti ishte pas martesës së vajzës së dytë, V.Vata, e cila është kthyer vetëm dy ditë pas ceremonisë, pasi ishte e defloruar. 51-vjeçari ka mësuar se personi që i kishte hequr virgjërinë vajzës ishte Shaban Norja. Megjithatë, nuk ndërmori asnjë veprim. Hetuesit kanë marrë dëshminë e Muhametit, i cili ka treguar për jetën e tij, martesën e parë me Rrushen, me të cilën kishte pesë vajza dhe një djalë, dhe martesën e dytë me Teftën, 21 vjet më të vogël, me të cilën ka një vajzë 5 vjeçe.

Dënimi

Vrasja në rrethana të tjera cilësuese për të cilën akuzohet Norja, legjislacioni penal parashikon dënimin me burgim jo më pak se 20 vjet, ose me burgim të përjetshëm, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për të zbardhur nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë, që ka kapërcyer dhe imagjinatën më të shëmtuar njerëzore në vend. 

Ndërkohë janë të shumtë në Xhafzotaj dhe fshatrat përreth, por edhe më gjerë që deklarojnë se raste të kësaj natyre duhet të dënohen me vdekje, dënim që nuk është më pjesë e legjislacionit penal shqiptar. “Të kthehet dënimi me vdekje. Janë ngjarje të rënda që meritojnë dënimin kapital, që të mos përsëriten. Është e papranueshme. Duhet drejtësi”, shprehen në Xhafzotaj. Ndërkaq rezultati i analizës së kryer nga Laboratori Kriminalistik mbi atësinë e fetusit përkon edhe me deklarimin e të moshuarit, që pas ndalimit ditën e diel ka pohuar gjatë dhënies së dëshmisë se ishte i bindur që Ajshja ishte shtatzënë me të. Më parë, ekspertët kanë përjashtuar mundësinë e një incesti në familjen Vata, duke bërë analizat krahasuese të materialit të marrë nga fetusi i viktimës dhe atë nga meshkujt e familjes së saj.

Leonard Norja: Dyshova për vrasjen, babai sillej çuditshëm

Një nga dëshmitarët që ka ndihmuar grupin hetimor për vënien para përgjegjësisë penale të Shaban Norjes për vrasjen e Ajshe Vatës, ka qenë edhe djali i autorit, Leonardi, një ish-emigrant në Itali. I kthyer para disa muajsh nga emigrimi, për shkak të krizës ekonomike, Leonardi jetonte në të njëjtën çati me të atin, Shabanin, me të cilin nuk kishte shumë relata babë e bir, pasi 80-vjeçari ishte një tip shumë i mbyllur. Megjithatë, ai thotë se ka dyshuar për këtë vrasje, pasi Shabani sillej shumë çuditshëm kohët e fundit, madje gjendja e tij ishte rënduar pas gjetjes së trupit pa kokë të 18-vjeçares. Gazeta “Shqip” ka mësuar detaje rreth dëshmisë së Leonardit, që ka ndihmuar grupin hetimor të zbardhë vrasjen, ndërsa mësohet se hetimet vijojnë dhe mund të vihen nën akuzë persona të tjerë.

“Tip i mbyllur”

Leonardi është marrë në pyetje nga grupi hetimor, i kryesuar nga prokurori Sokol Nishani dhe kryepolici i Durrësit, Emri Vata, teksa ka sqaruar të gjithë jetën e 80-vjeçarit. Ai ka pohuar se është larguar nga Shqipëria vite më parë, për në Itali ku dhe ka jetuar së bashku me bashkëshorten, Anila, dhe fëmijët 10 dhe 7 vjeç. Ka ardhur disa herë në Shqipëri, madje në një rast pas vdekjes së nënës para disa vitesh, Kadrijes. “Kam qenë në emigrim për një kohë të gjatë dhe nuk kam pasur shumë kontakte me babain. Madje raportet me të nuk i kam pasur si babë e bir, pasi më mbante distancë”, mësohet se ka deklaruar Leonardi, ndërsa ka pohuar se është shpërngulur përfundimisht në Shqipëri para disa muajsh, pas krizës ekonomike në Itali. Hetuesit e kanë pyetur rreth lëvizjeve të të atit gjatë kësaj kohe dhe marrëdhënien me familjen Vata. Ka pohuar se ka biseduar fare pak me babain, Shabanin, gjatë kësaj kohe, megjithëse jetojnë në të njëjtën çati. Leonardi, sipas policisë, ka lënë të kuptohet se raportet me Shabanin, nuk i ka pasur të mira, ndoshta nga ngjarja e para katër viteve, kur familja Vata akuzoi 80-vjeçarin se i kishte marrë virgjërinë vajzës së madhe të tyre. Prej asaj kohe, por edhe pas vdekjes së nënës, Leonardi nuk ka folur shumë me të atin, për të cilin kishte dyshime se ishte shkaktar i sëmundjeve të nënës së tij. Sipas hetuesve, 33-vjeçari ka pohuar se babai i tij nuk hapej me njeri dhe qëndronte i distancuar edhe me bashkëmoshatarët nga fshati. “Ai nuk shoqërohej kurrë me ta. Bënte një jetë të çuditshme, duke ikur në mëngjes e duke u kthyer në darkë, madje edhe natën, apo disa herë nuk kthehej në banesë” ka vijuar rrëfimin dëshmitari.

Për ngjarjen

Policia e ka pyetur Leonardin si person që ka dijeni për vrasjen e Ajshe Vatës, ndërsa mësohet se ai ka qenë bashkëpunues, duke treguar me detaje të gjithë jetën e tij me babain, madje edhe lëvizjet e tij të çuditshme. Mësohet se 33-vjeçari e ka nuhatur vrasjen, duke e ditur edhe të kaluarën e Shabanit, ndërsa i ka treguar policisë detaje se ku i mbante sendet personale apo edhe për lëvizjet gjatë natës. Hetuesit kanë mësuar se Shabani ishte shumë i mbyllur dhe gjatë ditëve të fundit ka qenë i tensionuar. Kaq ka mjaftuar për hetuesit që të ngrenë dyshime konkrete mbi të moshuarin dhe pas një kontrolli të rrobave të tij, ka rezultuar se ai ka qenë autori i vrasjes. Provat shkencore kanë vërtetuar se Shaban Norja ka qenë babai i fetusit që ishte ngjizur në trupin e 18-vjeçares Ajshe Vata.

Gazeta “Shqip”

 

 

 

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit