Peshkatarëve në Aceh të Indonezisë u është thënë të mos i shpëtojnë emigrantët e mbetur në mes të detit, edhe sikur të jenë duke u mbytur.
700 refugjatë nga Bangladeshi dhe Mianmari u nxorrën në breg javën e kaluar nga banorët e zonës.
Numri i klandestinëve në qendrat lokale të pritjes ka mbërritur tashme në 1500 dhe një zyrtar ushtarak deklaroi se zbarkimi i çdo emigranti tjetër do të konsiderohet i paligjshëm.
Të gjitha vendet e rajonit kanë vendosur t’i mbyllin kufijtë e tyre për refugjatët, në një kohë kur në det mendohet të ketë akoma anije me mijëra vetë, kryesisht muslimanë Rohingya, që i largohen persekutimit dhe varfërisë në Mianmar, por edhe bangladeshas të dëshpëruar për punë.
Malajzia nisi një ditë më parë një raund të ri bisedimesh me fqinjët e saj, në përpjekje për të zgjidhur krizën gjithnjë e më të rëndë të refugjatëve të bllokuar në mjete lundruese në Azinë juglindore, ndërkohë që asnjë vend nuk duket i gatshëm t’i pranojë.
Ministri i Jashtëm malajzian Anifah Aman, u takua me homologun e tij nga Bangladeshi, Abul Hassan Mahmood Ali, dhe po planifikon takime edhe me shefat e diplomacisë nga Indonezia dhe Tajlanda.
Ai e bëri të qartë se Malajzia “nuk mund të pranojë refugjatë të tjerë, pasi ka në territorin e saj një numër shumë të madh dhe deri tani asnjë vend tjetër nuk ka pranuar t’i strehojë refugjatët”.
Me krizën e ashpërsuar prej dy javësh, Tajlanda dhe Indonezia u presin klandestinëve çdo shpresë me argumentin se nuk do të pranojnë refugjatë të tjerë nga frika se hapja e kufijve do të nxiste një dyndje të re njerëzish. /Top Channel/