Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Azem Syla dje është çregjistruar nga vendbanimi i tij zyrtar i deritashëm në komunën Biberist të Kantonit të Solothurnit, në Zvicër. Me këtë ai ka shpallur edhe kthimin përfundimtar në Kosovë, duke plotësuar detyrimin që ka marrë nga Gjykata Administrative e Soloturnit. Kjo e fundit i pati caktuar Sylës 15 majin 2012 si datë për lëshimin e Zvicrës.
“Azem Syla me bashkëshorten e tij Hysnije Sylën janë çregjistruar përfundimisht nga komuna e Biberistit”, ka thënë kryetari i komunës Martin Blaser për gazetën “Aargauer Zeitung”.
Blaser ka thënë se ka biseduar personalisht me Sylën dhe ia ka kumtuar se do të kthehet në Kosovë. Me këtë akt po përmbyllet kapitulli me lejen e qëndrimit në Zvicër të deputetit kosovar, transmeton albinfo.ch.
Siç është njoftuar tashmë, Azem Syla ka jetuar në Zvicër nga viti 1994 ndërsa në vitin 1999 është pajisur me lejen e përhershme të qëndrimit (C). Pasi që aktivitetet e tij politike të kryera në Kosovë u bënë të njohura për publikun, Zyra për Migracion e Solothurnit e kishte anuluar atij lejen e qëndrimit.
Shuma prej më shumë se 400 mijë frangash për të cilën ai ngarkohet se e ka marrë pa të drejtë nga ndihmat sociale është objekt i një hetimi penal që po e zhvillon Prokuroria publike e Solothurnit. /Telegrafi/kohaislame