Procesi hetimor për vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc në Shkupit po rrit dyshimet për proces të montuar dhe dënim me çdo kusht të personave të dyshuar.
Kjo është theksuar nga avokatët mbrojtës, të cilët kanë shtuar dyshimet e tyre pas paralajmërimit të dëshmitarit të mbrojtur me shifrën E1, i cili u nxor ditëve të fundit nga mediat proqeveritare maqedonase.
Dëshmitari i ashtuquajtur i mbrojtur dhe i nxjerrur pas 135 ditëve të hetimeve pas 10 ditëve pritet të jap dëshminë e tij para trupit gjyqësor, të dyshuarëve të ndaluar në paraburgim si dhe avokatëve mbrojtës, por ai do të jetë me figurë të fshehur dhe zë të ndryshuar, për të mos u bërë identifikimi i tij për shkaqe sigurie.
Avokati mbrojtës i palëve të dyshuara, Naser Raufi ka deklaruar për numrin e sotëm të gazetës “Fokus” se po krijohen dyshime se rasti po montohet, vetëm e vetëm për të dënuar personat e dyshuar dhe të ndaluar në kuadër të operacionit “Monstër” lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc që ndodhi në prill të këtij viti.
“Në mungesë të dëshmive të tjera vlerësojmë se do të shkohet me dëshmitar të mbrojtur, për shkak se me çdo çmim duan të ngrisin akuzë. Tejet e dyshimtë është ajo se dëshmitari i mbrojtur u gjet vetëm pas 135 ditëve të hetimeve, që ngre dyshimin se rasti është i montuar”, ka theksuar avokati Raufi.
Tentimi për të pasur dëshmitar të mbrojtur ishte që në fillim të procesit të hetimeve dhe ndalimit të grupit të të dyshuarve në operacionin “Monstër”, por një nga të ndaluarit nga policia Haki Haziri nga Shkupi pas disa ditëve që konsiderohej si person i zhdukur, doli se kishte qenë dëshmitar i mbrojtur. Haziri pas presioneve të mediave u nxor në publik dhe organet policore theksuan se ai ishte dëshmitar i mbrojtur, por që më pas kishte hequr dorë nga një status i tillë, mirëpo ai më pas u përfshi në grupin e të dyshuarve kryesor për vrasjen e pesëfishtë.
Vrasja e pesëfishtë ndodhi në prill të vitit me ç`rast pesë të rinj maqedonas u vranë papritmas pranë Liqenit të Hekuranës në afërsi të fshatit Smilkovc të Shkupit.
Në burgjet e Manastirit dhe Prilepit tashmë gjenden katër të dyshuarit për vrasjen në Smilkovc që ndodhi në prill të këtij viti, ndërsa dy të dyshuar të tjerë janë në arrati. Përfaqësuesit ndërkombëtar në Maqedoni kanë kërkuar një proces transparent hetimor dhe shmangien e ndikimeve politike në mbylljen e rastit të vrasjes së pesëfishtë. (INA)/kohaislame