Me ngritjen e temperaturave në Kosovë punimet në autostradën Prishtinë-Shkup, po zhvillohen me një dinamikë më të përshpejtuar. Ela Ruçi, zëdhënëse në kompaninë “Bechtel- Enka”, kompani kjo fituese për ndërtimin e kësaj rruge, thotë se punimet janë duke u zhvilluar sipas dinamikës së paraparë.
Ruçi tregon se aktualisht është duke u punuar në nyjën lidhëse të dy autostradave, asaj “ Ibrahim Rugova” që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe autostradën “ Arbën Xhaferi”, që lidh shtetin e Kosovës me atë të Maqedonisë.
“Puna ka avancuar më së miri, sipas planeve në nyjën lidhëse të dy autostradave, duke shkuar në të dyja drejtimet – në drejtimin e Prishtinës dhe në drejtim të kufirit. Mendoj se jemi brenda planeve të parashikuara, brenda angazhimeve që kemi marrë”, thotë Ruçi.
Realizimi i këtij projekti ka filluar vitin e kaluar dhe sipas planit, parashihet që punët në këtë autostradë të përfundojnë për tre vjet e gjysmë.
Ela Ruçi konsideron që, sipas dinamikës së punëve, projekti do të realizohet në afatin e paraparë, pasi, sipas saj, gjatë sezonit të verës do të rritet edhe numri i punëtorëve.
Aktualisht, në këtë projekt janë të punësuar mbi 1100 punëtorë.
“Koha tashmë na lejon që të shtojmë edhe fuqinë punëtore dhe kapacitetet tona, kështu që mendoj se jemi brenda angazhimeve që kemi marrë për t’iu përmbajtur angazhimeve tona. Aktualisht, në këtë projekt janë të përfshirë rreth 1100 punëtorë. Duke u avancuar projekti, do të avancohet edhe numri i punëtorëve”, shpjegon ajo.
Edhe profesori në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, Selman Buçolli, shpreson se kompania fituese projektin do ta realizojë me kohë, pasi siç, thotë ai, kjo është dëshmuar edhe me autostradën “Ibrahim Rugova”.
Megjithatë, ai thotë se projekti duhet të monitorohet nga autoritetet kontraktuese.
“Kjo kompani është e vetmja profesionale, në afate është shumë e mirë dhe punët i përfundon në mënyrë profesionale. Kështu që vlen të përcillet – mbikëqyret nëse e kanë kontraktuar”.
“Është mirë të monitorohet hap pas hapi për çdo gjë, hulumtimet e tokës, gërmimin e dheut, ngjeshjen e tyre, zhavorrin, sepse rruga gjithnjë bëhet prej dy shtesave, bazamenti që nuk duhet të dështojë. Pa përfunduar kjo, nuk duhet të vazhdohet me shtresën tjetër finale që janë edhe dy shtresa asfalti”, thekson Buçolli.
Sidoqoftë, ai thotë se ndërtimi kësaj autostrade është i rëndësishëm jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin.
“Kosova obligimin e vet kryesor e ka përfunduar me autostradën ‘Ibrahim Rugova’ dhe me këtë ‘Arbën Xhaferi’, kështu që mund të jetë në qendër të vëmendjes së transportit në rajon, pasi mund të lidhet me të gjitha shtetet tjera” thekson ai.
Vlera e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit që lidh Kosovën e Maqedoninë, llogaritet të jetë rreth 600 milionë euro. /REL/