Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) thotë se 152 ditë shtesë i dha Ministria e Infrastrukturës “Bechtel& Enka” kur nënshkroi aneks kontratën e tretë me datën 5 shtator 2018 për autostradën Prishtinë – Han i Elezit.
KDI në vazhdimësi ka përcjell deklaratat e ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj lidhur me përfundimin e punëve lidhur me këtë kontratë.
Diana Metushi-Krasniqi nga KDI, sot, gjatë një konference për media, bëri edhe prezantimin e kësaj aneks kontrate që vërteton një gjë të tillë.
Ajo ka theksuar se në Aneks Kontratë, qartazi mund të shihni se Neni 5 zgjat kohën e përfundimit për 152 ditë, përderisa Neni 9 obligon Qeverinë të mbaroj të gjitha shpronësimet, dhe t’i garantoi kontraktorit qasje në vend punishte për të përfunduar punët.
“Për t’i kuptuar termat e përdorur në aneks kontratë duhet t’i referohemi edhe kontratës kryesore ku neni 8.2 kohën e përfundimit e definon si:
Kontraktori do të kompletojë të gjithë punimet, përfundoj secilën pjesë (nëse ka), brenda kohës për përfundimin e punimeve ose seksioneve (pjesëve), duke përfshirë:
(a) arritjen e kalimit të testeve pas përfundimit, dhe
(b) përfundimin e të gjitha punëve të deklaruara në kontratë si të domosdoshme që punët apo pjesët (seksionet) të konsiderohen si të përfunduara me qëllim të pranim dorëzimit të definuar në nën-klauzolën 10.1 [Pranim-Dorëzimi i punëve dhe seksioneve]”, ka shtuar më tej.
Metushi- Krasniqi ka potencuar se KDI-ja kërkon nga Ministri Lekaj që në vend të mohimit të gjetjeve të KDI-së, të jap sqarime publike se si rrit detyrimi i qeverise së Kosovës nga 14.78 milion në vitin 2016 në shumën prej 53.1 milion euro në vitin 2017.
“Ne kuptojmë se si rezultat i vonesave në realizimin e pagesave ndaj Bechtel& Enkas, Qeveria e Kosovës, bazuar në kontratën bazë, duhet t’i paguaj kontraktorit një kosto shtesë”.
Ajo tha se aneks kontrata, të cilën po e publikojnë, pranon detyrimet e Qeverisë ndaj Bechtel& Enka, por nuk definon se çfarë mbulon kjo shumë.
“Neni 3 i kësaj aneks kontrate definon se 53.1 milionë euro është vlera e zgjatjes së afatit të kontratës për periudhën 18 janar – 31 dhjetor 2018, ndërsa nenet 6, 7 dhe 8 thonë se me nënshkrimin e kësaj aneks kontrate Kontraktori pranon se nuk do të ketë pretendime lidhur me mungesat buxhetore përgjatë viteve 2014 – 2018”, tha ajo.
KDI i bënë thirrje organeve të drejtësisë që të hetojnë në mënyrë eksplicite arsyet e humbjes së 53.1 milion eurove të qytetarëve të Kosovës, si dhe përllogaritjes së shumës prej 53.1 milion eurove për vazhdim të kontratës 18 janar – 31 dhjetor 2018, përkatësisht 01 qershor 2019. /tg
KDI ka publikuar aneks kontratën, në të cilën për hir të mbrojtjes së privatësisë, emrat e nënshkruesve të kontratës së kontraktorit janë mbuluar: