Auditori i deritanishëm Besnik Osmani e ka uruar znj. Spanca për marrjen e detyrës së re, duke shprehur besimin që Zyra Kombëtare e Auditimit do të vazhdoj të mbetet një ndër institucionet më të besueshme në Kosovë.
Kuvendi i Kosovës, në seancën e sotme, me shumicë votash, ka zgjedhur Vlora
Spancën, Auditore të Përgjithshme të Republikës së Kosovës me mandat pesëvjeçar.
Pas marrjes së detyrës, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, është zotuar se do të
vazhdoj të punojë në fuqizimin e rolit dhe ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit në
rritjen e llogaridhënies dhe transparencës në sektorin publik.
Spanca është Auditorja e pestë me radhë, që nga themelimi i institucionit të
Auditorit të Përgjithshëm në vitin 2003.
Biografia e znj. Spanca
Vlora Spanca që nga muaji gusht i vitit 2017 ishte Ndihmës Auditor i Përgjithshëm në
Zyrën Kombëtare të Auditimit. Ajo ishte përgjegjëse për Divizionin e një portofoli të
departamenteve të auditimit, që përfshin: Departamentin e Auditimit të Performancës,
Departamentin e Auditimit të Performancës dhe Teknologjisë Informativ, si dhe
Departamentin e Auditimit për Prokurimin dhe Menaxhimin e Projektit.
Po ashtu, ka qenë përgjegjëse për auditimin financiar të projekteve të financuara nga
donatorë të ndryshëm, si Banka Botërore dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim. Gjatë
periudhës 2017-2019, Spanca ka qenë koordinatore për implementim të projektit të
financuar nga Banka Botërore për zhvillimin e kapaciteteve audituese në fushën e
prokurimit publik.
Në Zyrën Kombëtare të Auditimit është punësuar në vitin 2007 dhe që nga viti 2009 deri
në vitin 2016, Spanca ishte drejtoreshë e Departamentit të Auditimit për auditime të
rregullsisë, që përfshin Ministritë dhe Agjencitë e Pavarura të krijuara nga Kuvendi i
Kosovës.
Gjatë periudhës 2015 – 2016, Spanca ishte përgjegjëse për auditimin e Pasqyrës
Vjetore Financiare të Buxhetit të Kosovës. Para se të punësohej në Zyrën Kombëtare të
Auditimit, Spanca ka punuar për katër vjet me Misionin e Kombeve të Bashkuara në
Kosovë, për Zyrën e Zëvendës-Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm. Ajo
ishte përgjegjëse kryesisht për mbështetjen e veprimtarive administrative për Zyrat Ndërlidhëse me Trupat Mbrojtëse të Kosovës, Strukturën e Përkohshme Administrative
të Kosovës, si dhe për Drejtorinë për Çështje Rurale.
Spanca ka përfunduar studimet universitare në drejtimin e Ekonomisë në Universitetin e
Prishtinës “Hasan Prishtina”. Është Auditor i certifikuar në sektorin publik dhe është
certifikuar si menaxher i cilësisë së sistemit nga “Quality Austria”.