0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Audi shpalosi zyrtarisht rivalin e Model S, e-tron GT

Më të lexuarat

Kompania prestigjioze gjermane e veturave, Audi, në panairin Los Angeles Auto Show ka prezantuar konceptin e ri tërësisht elektrik, e-tron GT, të cilin e ka zhvilluar në bashkëpunim të afërt me Porschen.

Ky katër-dyersh Gran Turismo përfaqëson performancën e ardhshme të veturave elektrike të këtij brendi, shkruan motor1. e-tron GT do të fillojë prodhimin masiv nga fundi i 2020-ës, si modeli i tretë e-tron, pas Audi e-tron SUV dhe modelit të ardhshëm Audi e-tron Sportback (në 2019-ën).

Ky prodhues gjerman ka vendosur që të prodhojë 12 modele tërësisht elektrike deri në vitin 2025 dhe tri të parët do të gjenden në treg deri në fund të 2020-ës ndërsa 9 modele tjera do të prezantohen në pesë vitet e ardhshme, që nënkupton një veturë të re elektrike për çdo gjashtë muaj mesatarisht.

Audi e-tron GT, si Coupe katër-dyersh, mund të bëhet rival i drejtpërdrejtë i Model S të Teslës.

e-tron GT ka baterinë prej 90 kWh e cila është e vendosur në tërë zonën e dyshemesë, do të thotë nën të, deri te boshtet e rrotave. Po ashtu, sipas testit WLTP, ky koncept pritet që të kalojë deri në 400 kilometra me vetëm një mbushje të baterisë. Jo vetëm bateria, por edhe karroceria me peshë më të lehtë ka ndikuar që ky model të mund të kalojë kaq shumë kilometra.

Audi ka prodhuar karrocerinë duke përdorur materiale të ndryshme, për shembull pjesa e çatisë është e bërë nga fibra të karbonit së bashku me një numër të elementeve nga alumini, si dhe me disa elemente të tjera nga çeliku.

Gjithashtu, e-tron GT vjen me motor me kapacitet prej 434 kW/582 kuajfuqi, përmes të cilit shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra mund ta arrijë për 3,5 sekonda, deri në 200 km/h për 12 sekonda dhe atë maksimale deri në 240 km/h. Po ashtu, e-tron GT vjen edhe me sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat.

Audi e-tron GT është i gjatë 4.96 metra, i gjerë 1.96 metra dhe i lartë 1.38 metra dhe bateria e tij mund të mbushet nga 0 – 80 për qind për 20 minuta. Po ashtu, bateria (800 voltëshe) mund të mbushet edhe me Wireless në 11 kW.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit