Panorama e xhamisë së profetit Muhamed alejhi selam gjatë muajit të madhëruar të Ramazanit, i ngjan më tepër një mozaiku shpirtëror të ndërthurur mes dikujt që i përgjërohet Zotit me lutje, dikujt që falet në ruku e sexhde, një tjetri që lexon Kuran, dikujt që viziton varrin ku prehet Profeti alejhi selam, një tjetri që bën dhikër etj… E tillë është pamja që të ofrohet në xhaminë e Profetit alejhi selam, para se agjëruesit të ulen pranë sofrave të iftarit, të përgatitura nga bamirës të shumtë.
Ahmed Sejjid, është një vizitor nga Egjipti dhe lidhur me atmosferën në xhaminë e Profetit thotë:”Nuk ka Ramazan më të bukur se ky, në një atmosferë kaq shpirtërore dhe përhumbje. Kushdo që vjen këtu, zhvishet nga çdo gjë e kësaj bote, duke e mbajtur zemrën të lidhur me Zotin e tij.”
Zahid Kerim Rahman, një emigrant nga Pakistani, thotë se është shumë i lidhur me xhaminë e Profetit alejhi selam, saqë shfrytëzon çdo hapësirë kohe të lirë për tu gjendur në këtë ambient. Ai çel iftar në xhami dhe qëndron deri pas namazit të teravive. Nuk ka gjë që mund të krahasohet me këtë atmosferë dhe ndjesi që të fal ky vend. Me të shkelur në këtë vend, më duket se i hedh përtokë të gjitha hallet e telashet e jetës – shton ai.
Një grumbull i madh njerëzish mblidhen pranë varrit të profetit Muhamed alejhi selam, duke e lutur Zotin që ti bashkojë me të në xhenet dhe kjo të mos jetë vizita e tyre e fundit në këtë vend të bekuar. Sakaq, në vendin e quajtur Rauda, numri i vizitorëve është shumë i madh. Ata i sheh të ulur dhe në këmbë në vende të cilat kanë një histori të caktuar nga koha profetike.
Këtë atmosferë shpirtërore, nuk e thyen asgjë tjetër përveç ndonjë fëmije apo të riu, i cili rend me mish e me shpirt për tu shërbyer agjëruesve, me një gotë ujë zemzemi të freskët, një kuti hurma apo një gotë kafe arabe. Të gjithë janë në shërbim të agjëruesve. Tek portat e xhamisë, sheh fëmijë të vegjël pesë vjeçarë, të cilët të kapin për dore dhe me një zë engjëllor të thonë:”Sonte je i ftuar tek sofra jonë për iftar!”
Kushdo që shkel në këtë vend, përjeton çaste të paharrueshme, duke sjellë ndërmend momente nga koha e Profetit alejhi selam dhe e shokëve të tij. Secili është i angazhuar totalisht me lutje dhe përgjërime që ia adresojnë Atij që u ka premtuar se do ua pranojë lutjet. Dikush lutet me zë, një tjetër pëshpërit, një i tretë lutet me zemër, një të pesti i rrjedhin lotët çurg etj…
E tillë është atmosfera, derisa të ngrihet lart ezani i akshamit i cili sinjalizon dhe përfundimin e agjërimit për atë ditë. /ardhmeriaonline/kohaislame