1.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

ATK gjobit Ilaz Zharkun, vëllain e ministrit të Infrastrukturës

Më të lexuarat

“Inex Petrol” pronë e Ilaz Zharku, vëllait të ministrit të Infrastrukturës, Lutfi Zharku është gjobitur nga Administrata Tatimore e Kosovës për shkak të mungesës së arkës fiskale.
Mirëpo vetë Zharku e ka mohuar për Indeksonline se nuk ka arkë fiskale. Ai ka thënë se nuk është i informuar shumë për këtë gjobë, por ka insistuar se ka qenë një keqkuptim, sepse ka pasur arkë fiskale.
“Së pari, nuk jam shumë i informuar, mirëpo ka qenë krejt një keqkuptim, së dyti, nuk më interesojnë se çka shkruajnë gazetat, sepse gazetarët e kanë atë punë, le ta shkruajnë, sepse përndryshe biznesi im është i pajisur me dy arka fiskale. U bë nami që vëllai i ministrit po punon, a kush nuk e di që prej viteve të 90-ta jam kompania e parë në regjionin e Ferizajt”, ka thënë Zharku për Indeksonline.
Zharku, që ka në pronësi një pompë derivatesh dhe një restorant, ka thënë se do të ankohet për gjobën në ATK. Ai ka thënë se nuk ka pranuar ndonjë dokument të gjobës, por është informuar vetëm nga mediat.
“Nuk jam i informuar për atë gjobë, bile unë nuk kam pranuar një dokument të tillë, prej gazetave jam informuar që më kanë gjobitur.

Do të informohem dhe do të bëj të pamundurën që ai person që më ka gjobitur, të paktën të më tregoj për çka. Pa e pa dokumentin nuk mund të bëj ankesë”, ka thënë Zharku për Indeksonline.

Zharku ka thënë se edhe për një euro do të bënte ankesë, duke konsideruar se iu ka bërë e padrejtë.
“Nëse është nevoja edhe për 1 euro apo 10 euro do të bëj ankesë, sepse pa e parë gjobën mandatare nuk mund të bëj ankesë. Duhet të interesohem parimisht në ATK se për çfarë gjobe bëhet fjalë dhe të them të drejtën është obligim i çdo inspektori që ta bije dëshminë”.
Zharku mendon se dikujt i ka konvenuar që të gjobitet, sepse sipas tij, ATK është në dijuni që kompania e tij ka arkë fiskale.
“Nuk po them se a më bëhet kjo se jam vëlla i ministrit, dhe nuk dua të di se çka mendon dikush për mua, sepse unë jam i pajisur me arka fiskale dhe kanë qenë edhe inspektorët dhe e kanë vërtetuar që kam arkë fiskale, dhe e dinë se kujt i jepet kuponi fiskal. Ndoshta i konvenon dikujt, mirëpo nuk merrem shumë me ato gjëra, sepse nuk është nevoja as të demantohet diçka, dhe as unë as familja ,as ministri nuk merremi me gazeta se çka thonë”, ka thënë Zharku për Indeksonline.
Zharku ka thënë se i vjen mirë që inspektorat e ATK-së përfillin ligjin dhe gjobitin çdo kënd që shkel ligjin.
“Kanë qejf gazetarët të shkruajnë për vëllanë e ministrit, mirëpo duhet dënuar edhe vëllain i ministrit e kryeministrit, nëse e shkel ligjin. Më vjen shumë mirë që inspektorët e ATK-së e përfillin ligjin dhe e dënojnë të gjithë shkelësit e ligjit. Ky është standard i mirë dhe pozitiv, sepse të gjithë jemi të njëjtë para ligjit”.
Ndërsa Indeksonline ka provuar të flas me dike në ATK, por ka qenë e pamundur. Ky institucion tash e disa muaj nuk kthen as përgjigje përmes postës elektronike, duke u mbyllur për media.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit