Kur kanë kaluar më shumë se një muaj nga vdekja e Florenc Beqirajt në Francë, ngjarja vazhdon të mbetet ende mister.
23-vjeçari ndërroi jetë në një spital në Marsejë dhe ngjarja e rëndë shkaktoi reagime për shkak se ka dyshime të forta se i riu është dhunuar rëndë në ambientet e paraburgimit ku mbahej para se të dëbohej për në atdhe.
Pasi u mbajt disa ditë në gjendje kome, i riu nga Shkodra ndërroi jetë pas heqjes së aparaturave, që e mbanin në jetë. Këto janë të paktën pretendimet që vazhdon të ketë familja Beqiraj, në një kohë kur nuk ka ende asnjë version zyrtar për vdekjen e djalit të tyre, që jetonte si emigrant në Francë prej 3 vitesh.
Ndërkohë, autoritetet franceze u shprehën ditën e ngjarjes se, 23-vjeçari shqiptar kishte tentuar vetëvrasje, por një gjë e tillë hidhet poshtë nga familjarët.
Per “Panorama”, nëna e 23-vjeçarit, Laureta Beqiraj, shprehet se ende nuk kanë asnjë lajm për zbardhjen e së vërtetës, pavarësisht se nga përfaqësues të autoriteteve shqiptare ka marrë garancinë se ngjarja do të zbardhej shumë shpejt.
Znj. Beqiraj, keni marrë ndonjë përgjigje zyrtare për shkakun e vdekjes së djalit tuaj tashmë që ka kaluar një muaj nga ngjarja?
Prej se na ka ndodhur ngjarja e rëndë, ku djali im u vra, ne akoma s’kemi marrë asnjë përgjigje. Ne jemi në pritje dhe nuk do të rreshtim, por deri më tani nuk na ka ardhur asnjë përgjigje. Shpresojmë që të mos vonojë dhe ta sjellin sa më shpejt ashtu siç edhe na kanë premtuar. Ne i kemi sytë dhe mendjen vetëm tek ajo përgjigje. Nuk na duhet asgjë tjetër në këtë jetë. Vuajtja për ne është e madhe, por të paktën të dimë se çfarë ka ndodhur me djalin tonë. Ende nuk e dimë se çfarë ka ndodhur me të dhe kjo është e rëndë për të gjithë ne.
Çfarë prisni nga autoritetet franceze?
Ne i presim të gjitha. Ne presim që të na sjellin autopsinë për djalin tonë sepse na e kanë premtuar. Po ashtu, ne jemi duke pritur edhe akt-ekspertizën mbi atë që ka ndodhur me Florencin. Gjithashtu presim çdo informacion apo përgjigje zyrtare nga shteti francez për atë që ka ndodhur në burg me Florencin si dhe çka ndodhur në spital sepse i kanë hequr tubat e oksigjenit, edhe pse bashkëshorti im nuk ka firmosur për një gjë të tillë. Presim gjithçka për zbardhjen e plotë të asaj vrasjeje.
Keni komunikuar me avokatin në Francë që po ndjek çështjen?
Po, por deri më tani as ai nuk na ka dhënë asnjë përgjigje. Na ka thënë që duhet të presim. Ne po presim, por u bë gjithë kjo kohë dhe duam që të kemi një përgjigje sepse në asnjë moment nuk e kemi shpirtin e qetë, derisa vrasja e djalit tonë të zbardhet e plotë. Duhet të zbardhet nëse Franca e quan veten shtet të zhvilluar europian dhe që bazohet në barazi dhe drejtësi.
Ju vazhdoni të jeni të mendimit se Florenci është vrarë?
Ata në Francë e kanë vrarë sepse ata e futën në burg. Ajo dihet dhe nuk kemi asnjë dyshim. Djali shkoi në burg me këmbët e veta dhe nuk e morën të plagosur. Ai po priste të kthehej në Shqipëri siç na ka thënë në telefon kur ende pa u kthyer, e vranë pa asnjë arsye.
Nga ana tjetër, ka një pretendim që Florenc Beqiraj ka bërë vetëvrasje…
Vetëvrasje nuk ka bërë sepse e para, unë e njoh shumë mirë djalin tim dhe ai ishte tip i fortë dhe nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë. Po ashtu, bashkëshorti kur ishte në Francë e ka gjetur të dhunuar. Ishte i prerë në fyt, në duar dhe në trup me tel dhe bashkëshorti i ka parë shenjat e dhunës dhe të prerjes. Nuk është vetëvrasje, por vrasje e pastër.
Cili është apeli juaj?
Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër veçse drejtësi. Duam që kjo ngjarje të zbardhet e plotë, asgjë më shumë. Ne kemi shpresë se drejtësia do të dalë, ndaj jemi në pritje dita-ditës. Ne nuk e lëmë me kaq dhe askush të mos mendojë se do mbesë me kaq. Djalin ma kanë mbytur dhe drejtësia për të do të dalë një ditë. Shumë faleminderit nga të gjithë ata, që na kanë dërguar para dhe na kanë ndihmuar në ato momente të vështira.