Kongresistët që lobojnë për shqiptarët dhe serbët bashkohen në propozimin dërguar komitetit të Nobelit në Norvegji për të shpërblyer nënshkruesit e Marrëveshjes së Brukselit
WASHINGTON, D.C. – Sot, kongresistë që zakonisht janë përplasur për vite me radhë në Washington, sa herë që është debatuar për Kosovën, janë bashkuar në një nismë për të shpërblyer udhëheqësit kosovarë e serbë për Marrëveshjen e debatueshme të arritur këtë vit në Bruksel.
Kongresistët Eliot L. Engel dhe Robert Aderholt, bashkëkryetarë të Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin amerikan dhe kongresistët Ted Poe dhe Emanuel Cleaver, bashkëkryetarë të Kaukusit Kongresional Serb dërguan letra në Komitetin Norvegjez të Nobelit për të emëruar Baroneshën Catherine Ashton, Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, për Çmimin Nobel të vitit 2014. Sipas letërshkruesve, të emëruarit e meritojnë nderimin për shkak të rolit kritik që luajtën në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Ndërsa, është pritur me kritika e protesta në Serbi e në Kosovë, marrëveshja është lavdëruar nga komuniteti ndërkombëtar si një arritje historike. Serbia ka siguruar për serbët në veri një autonomi thelbësore që rrit pavarësinë e tyre nga Prishtina. Kosova ka siguruar njësimin e sistemit të drejtësisë në mbarë territorin dhe ndërprerjen e strukturave paralele në vend.
Kritikët në Serbi e shohin marrëveshjen si një njohje të tërthortë të pavarësisë së Kosovës, që hap rrugën për njohjen zyrtare të saj. Kritikët në Kosovë thonë se një republikë e dytë Srpska po krijohet në Kosovë dhe se BE shpërbleu Serbinë me hapje bisedimesh për anëtarësim, kurse Kosovës nuk i dha as heqjen e premtuar të vizave.
Pavarësisht nga këto, diplomatët në Washington dhe Bruksel këmbëngulin se marrëveshja është një hap i parë vendimtar në normalimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe një themel për ndryshime të situatës në këtë pjesë të Ballkanit. (Illyria)