0.7 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Arti i gjeometrisë në Islam

Më të lexuarat

Të kuptuarit e artit Islam, lidhet drejtpërsëdrejti me të kuptuarit e mesazhit të fesë si dhe me përdorimin estetik të elementeve të ndryshëm të cilat i shërbejnë atij qëllimi Hyjnor. Nëpërmjet punimeve të mjeshtrave dhe artistëve muslimanë, përgjatë gjithë kohës që kur Islami u shpall si fe, u shfaqën edhe forma të ndryshme të estetikës Islame si arabeskët, kaligrafia, floralet, format gjeometrike, etj. Të gjitha këto forma arti synonin të përconin filozofinë e besimit, botëkuptimin e jetës dhe mendimit racional të krijimit, madje jo rrallë herë duke shërbyer si katalizator për të shtyrë njeriun në introspeksionin shpirtëror mbi kuptimin  dhe lidhjen e Krijues- krijim. Një nga format dhe elementet kryesore të artit Islam i përdorur në cdo vend ku Islami si fe ka  luajtur rol inspirues  në dizajn është gjeometria. Nëse i referohemi Platonit, gjeometria, është shkenca e “matjeve hapësinore”. Vetë ligjet për mënyrën sesi gjërat lejohen të funksionojnë nga “Vullneti Hyjnor” janë ligjet e “Harmonisë së Qenies”.

Sipas fjalorit të Oxfordit, fjala gjeometri i referohet shkencës së vetive dhe marrëdhënieve të madhësive siç janë pikat, vijat, sipërfaqet, ose hapësirat solide ​​dhe mënyra se si pjesët e një objekti të veçantë ndërlidhen së bashku. Gjeometria nëse e zbërthejmë si fjalë, përbëhet nga 2 fjalë greke ‘‘ geo”, që do të thotë tokë dhe ‘ metry ’, që do të thotë të përmasë. Në fjalë të tjera,  është studimi i rendit hapësinor nëpërmjet masës/përmasave dhe marrëdhënieve të formave. Ndër shekuj ajo është aplikuar në shumë ndërtesa dhe forma projektimi.

Gjeometria dhe aritmetika, së bashku me astronominë (shkenca e rendit kohor përmes vëzhgimit të lëvizjes ciklike) përbënin disiplinat kryesore intelektuale të arsimit klasik.  Gjurmët e para të  konfirmuara dhe të regjistruara të  njohurive gjeometrike dhe marrëdhënies së saj me astronominë, njerëzimin dhe muzikën mund të gjurmohen tek grekët e lashtë, në veçanti, tek Pitagora dhe Platoni. Ndonëse para Grekëve, shumë civilizime të vjetra kanë lënë gjurmë të qarta gjeometrike duke aplikuar gjeometrinë e shenjtë në ndërtimet e tyre si për shembull: gurët e gdhendur prehistorikë të gjetura në Skoci[1] apo në Egjiptin e Lashtë, (prej nga e trashëguan dhe grekët), gjeometri quhej përcaktimi i kufinjve të tokës pas përmbytjeve nga lumi Nil. Kjo në atë kohë shihej si rivendosje e ligjit dhe rendit në tokë.[2] Megjithatë grekët ishin të parët që e studiuan atë

Tempujt në të gjitha qytetërimet janë ndërtuar duke marrë në konsideratë raportet dhe proporcionet gjeometrike, me dimensione që konsiderojnë kalkulimet matematikore, konstante dhe raporte të tilla si “mesatarja e artë / e shenjtë” dhe përdorimi i gjeometrive të bazuara në rrënjë proporcionale, drejtkëndësha proporcionalë dhe trekëndëshin Pitagorean[3]. Për shembull, katedralet e krishtera përfshinë gjeometrinë simbolike, ndërsa hartimi i tempujve Hindu dhe Budistë bazohej në gjeometrinë e shenjtë.

Duke u rikthyer tek Gjeometria Islame, apo gjeometria në artin Islam, mund të pohojmë se gjeometria e Shenjtë dhe elementët gjeometrik kanë patur një rëndësi të vecantë edhe në të. Gjeometria dhe proporcioni ishte karakteristikë e dukshme e arteve Islame. Ata janë përdorur që në fillimet e tij për të krijuar forma unike gjeometrike dhe kanë shërbyer si strukturë themelore e procesit të dizajnit Islam. Është e habitshme kur sheh mundësitë e pafundme kombinuese të tyre.  

Parimi kryesor i Islamit është Njëshmëria e Zotit, dhe adhurimi vetëm i Tij. Njeriu nga vetë natyra e tij, shpesh kërkon për një qoshkë, vend apo ndërtesë për t’u vetmuar, lutur dhe falur Zotit, ndaj përfaqësimi fizik i këtij ambjenti është shumë i rëndësishëm dhe esencial. Por sic dihet, besimi Islam, nuk pranon lutjet apo adhurimet drejtuar statujave, figurave dhe cdo qenie tjeter vec Zotit. Mu për këtë arsye, në linjë me filozofinë e besimit, sipas Hasan Fathy, u shfaq shkenca e gjeometrisë së “shenjtë” e cila ka si synim krijimin e një hapësire në harmoni të plotë fizike/  mjedisore që pasqyron konceptin Hyjnor të harmonisë së njerëzimit dhe është një mjet për të shfaqur mënyrën e jetesës sipas  besimit Hyjnor, perceptimin e botës dhe mendimin racional të jetës.  Gjeometria në Islam, nëpërmjet manipulimit të hapësirës, dritës, formave dhe ngjyrave, ka për qëllim të udhëheqë shpirtin drejt Hyjnores. Ajo të kujton madhështinë e Zotit, të nxit për përkujtimin e Tij dhe të bërit dhikr (përmendje). Platoni thotë: “Bukuria është shkëlqimi i së vërtetës” dhe në Islam, e Bukura (ndonëse mund pritet të thuhet se është subjektive dhe ne varësi të syrit që e shikon), është mjaft objektive pasi shpreh të vërtetën e pandryshueshme, atë Hyjnoren.

Cdo formë apo figurë  nëse e shohim në prespektivën e kuptimit simbolik reflekton një vlerë dhe parim brenda kornizës së harmonisë Universale. Nëse shohim përreth do shohim se cdo qelizë e egzistencës është ndërtuar mbi kalkulimet aritmetike apo modeleve gjeometrike, qoftë kjo; molekulat, atomet, qelizat,  njeriu, natyra, kozmosi. Struktura e universit përcaktohet nga konstante të caktuara matematikore dhe gjeometrike të cilat konfirmojnë faktin se proporcionet janë pëlhura themelore e natyrës. Da Vinci nëpërmjet përmasave matematikore të trupit të njeriut (Njeriu Vitruvian) tregoi se qenia njerëzore përfaqëson më së miri raportin e “artë” në trupin e tij.  Nëse i referohemi Kuranit të Shenjtë, njeriu në vetvete zotëron përpjestimet më harmonike, “Ne vërtet e kemi krijuar Njeriun në formën më të mirë” (Kuran 95: 4)

Një tjetër krijim egzistencial tek i cili ne dëshmojmë proporcione gjeometrike të dukshme është natyra dhe materia. A nuk jemi ndalur të mrekulluar sa herë jemi ndeshur me forma aq perfekte dhe të larmishme të natyrës? Forma të cilat lidhen drejtpërsëdrejti me gjeometrinë, si; hojëzat e mjaltit, kristalet e dëborës ndonëse vijnë në forma dhe madhësi të ndryshme gjashtëkëndëshi është mbizotërues, trungjet e pemëve përbëhen nga unaza në formë rrethi të përkryer, apo forma rrumbullake e hënës në ditën e 15-të të muajit.

Harmonia matematikore e universit  dhe proporcioni mesatar i artë mund të shihet edhe në proporcionet e planetëve në sistemin tonë diellor.  Kështu, arkitektura Islame është krijuar në bazë të harmonive thelbësore të natyrës së bashku me kuptime të ndryshme simbolike dhe teori të përmasave të përsosura. Modelet e përsëritura janë simbol i idesë së pafund dhe pa kohë, pafundësisht të zgjerueshme; simbol nga dimensioni i brendshëm i Islamit mbi rëndësinë e unitetit.  Vlen të theksohet fakti se aplikimi i gjeometrisë në artin islam ishte një zgjedhje e përkryer, duke patur parasysh se në Islam pikturimi e figurave jetësore, kafshëve, njërëzve apo dhe skulpturat e qënieve të gjalla janë të ndaluara, ndaj luajtja dhe manipulimi i figurave  gjeometrike në proporcionet e duhura duke krijuar mozaike aq abstrakte dhe të pafundtë ishte risi dhe kreative. Aplikimi i tyre zinte vend në fasadën e jashtmë, në hapësirat e brendshme, në mashrabiyyat, në dritare, zbukurim tavani dhe muri, në shtrimin e dyshemesë, në veshjen e minareve, në portat hyrëse, (iuanet) si dhe në arredimin e brendshëm të mobiljeve; qoftë rafteve, apo minberit.  Proporcionet e aplikuara në formimin e formave gjeometrikë në vetvete kishte vetëdijen e projektuesve dhe ndërtueve mbi ligjet hapësinore dhe raportet e tyre, duke krijuar mjeshtërisht vlera estetike. Por përtej kënaqësisë së syrit dhe të bukurës, format gjeometrike të ftojnë në të kuptuarit të lidhjes “univers-njeri-natyrë.”Artistët musliman kishin për qëllim që me stilizimin dhe krijimin e paternit (modelit) të pafundtë, të ngacmojnë skajet e mendjes njerëzore.  Kështu përdoruesi i një hapësire të caktuar nuk është thjesht një vëzhgues i thjeshtë i disa formave, por ai noton nëpër lidhjen e fortë të tij me kozmosin dhe natyrën, duke lejuar mendjen të udhëtojë në pafundësi dhe të këtë mundësi të meditojë mbi madhështinë e Krijuesit. 

Shkruan: Brunilda Basha, ndjek doktoraturën për arkitekturë në Universitetin “Yildiz Teknik”, Turqi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit