0.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Arrihet marrëveshja për mandatin dhe kompetencat e EULEX-it

Më të lexuarat

Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë finalizuar marrëveshjen për vazhdimin e mandatit të EULEX-it (Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit) edhe për dy vite tjera.

Konfirmimin për këtë marrëveshje e ka kumtuar vet kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i cili, para kabinetit qeveritar, ka thënë se të martën kjo çështje është dakorduar, kurse miratimi në Kuvend pritet të merret të enjten.

“Presim ta marrim këmbimin e letrës nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogerini, pastaj do të mbajmë një takim të Qeverisë dhe nesër (të enjten) mendojmë t’ia dërgojmë Kuvendit për shqyrtim dhe miratim”, ka deklaruar Mustafa.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka deklaruar se negociatat me Bashkimin Evropian janë fokusuar kryesisht në kompetencat e EULEX-it dhe institucioneve të Kosovës nga fusha e sundimit të rendit dhe ligjit.

“Natyrisht që në negocimin tonë kemi pasur parasysh dy kritere; e para që të shfrytëzohet në maksimum mundësia e institucioneve tona për ta ushtruar sovranitetin e plotë në fushën e gjyqësisë dhe prokurorisë dhe njëkohësisht kemi pasur mundësinë dhe kemi shfrytëzuar autoritetin edhe të EULEX-it për të shfrytëzuar ekspertizën e tyre në dy vitet e ardhshme”, ka thënë Kuçi.

Misioni i EULEX-it është vendosur në Kosovë në qershor të vitit 2008, për të ndihmuar rendin ligjor pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ai paraqet misionin më të madh që Bashkimi Evropian ka shtrirë në një vend. Përveç kompetencave të caktuara në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, kryesisht është marrë edhe me këshillimin dhe monitorimin e institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.

Këshilli i BE-së e ka miratuar të martën vendimin që mundëson zgjatjen e misionit të EULEX-it, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, Maja Kocijançiq, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe siguri të BE-së, Federica Mogherini.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar se përfaqësuesit e Institucioneve të Kosovës kanë kërkuar nga BE-ja që EULEX-i të mos hap më raste të reja për çështjet që ndërlidhen me korrupsion dhe krim të organizuar dhe që të gjitha këto raste t’i kalojnë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Vazhdimi i mandatit të EULEX-it pritet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e votave të deputetëve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit