Policia e Kosovës, përkatësisht njësiti i Hetimeve, stacioni policor Pejë, në përputhje me autorizimet policore, të enjten rreth orës 11:15, ka arrestuar dy të dyshuar, L.B. (1978) dhe Sh.B. (1959).
Arrestimi i tyre është bërë duke u bazuar në informacionet operative që ka pranuar Policia e Kosovës, përkatësisht njësiti hetimor i stacionit policor në Pejë, se “në një portal të internetit ishte shfaqur një video-incizim ku vërehej një person i cili më një armë automatike gjuante në ajër”.
Hetuesit policorë kanë vepruar menjëherë dhe është lokalizuar lokacioni, kanë identifikuar të dyshuarit, me ç’rast është informuar edhe Prokurori i shtetit dhe nën autorizim dhe bashkëpunim të plotë me të, janë bastisur shtëpitë e të dyshuarave dhe konfiskuar një pushkë automatike Ak – 47 prodhim kinez, një karikator i pushkës automatike, dy fishekë cal. 7.62 x 39, një pistoletë cal. 7.62, një karikator i pistoletës, 7 fishekë të pistoletës 7.62, një pushkë gjuetie “Escort special”, një fotrollë e pushkës së gjuetisë, 269 gëzhoja cal. 7.62 x 39 mm, 24 gëzhoja të pushkës së gjuetisë, një kuti me pajisje për pastrimin e armës, dhe një leje e armës së gjuetisë.
Policia bën me dije se gjatë intervistimit, i dyshuari i parë ka pranuar se arma automatike dhe pistoleta janë pronë e tij dhe me të njëjtat ka gjuajtur në ajër.
“Po ashtu edhe nga i dyshuari dytë është konfiskuar pushka e gjuetisë”, njofton Policia e Kosovës.
Me vendim të Prokurorit të shtetit, të dyshuarit L.B. i është caktuar masa e ndalimit policor, ndërsa i dyshuari Sh.B. është liruar në procedurë të rregullt dhe rasti do të procedohet në Prokurorinë Themelore të shtetit, departamenti i krimeve të rënda.
Policia e Kosovës bën me dije se edhe në të ardhmen do të ndërmerr masa të nevojshme ligjore sipas autorizimeve që ka në të gjitha rastet e tilla të paraqitura në terren dhe ndaj atyre që ekspozohen përmes rrjeteve të ndryshme sociale./Ind/kohaislame