Policia në qytetin e Monterreit, në veri të Meksikës, ka njoftuar arrestimin e Maria Jimenez, 26 vjeçe, një prej vrasëseve më të pamëshirshme në shërbim të karteleve të drogës.
Sipas autoriteteve, vajza, e njohur me pseudonimin “La Tosca”, akuzohet për të paktën 20 vrasje të kryera me gjakftohtësi.
E reja është arrestuar javën e kaluar, por vetëm këto ditë ajo rrëfeu krimet e saj dhe lajmi u bë publik nga një zëdhënës i policisë.
“Tosca” paguhej 1.700 dollarë në muaj për të vrarë trafikantë rivalë dhe përgjegjës të forcave të rendit, që u shkelnin në kallo karteleve të narkotrafikut.
Bëhet fjalë për një ngjarje paksa të rrallë, duke qenë se dhuna dhe vrasjet me pagesë janë ekskluzivitet i meshkujve në një botë të egër krimi siç është ajo e Meksikës.
Dhuna në vendin latin arriti kulmin fundjavën e kaluar, kur të paktën 23 persona u vranë në rrethana mizore në qytetin Nuevo Laredo, në kufi me Shtetet e Bashkuara.
Fillimisht, nëntë trupa me shenja torture u gjetën të varur në një urë, ndërsa pak orë më vonë 14 trupa të copëtuar u gjetën në një makinë./tch/kohaislame