Si rezultat i një operacioni të zhvilluar nga Departamenti i Policisë Kufitare , Policia e Kosovës ka arrestuar nëntë persona të dyshuar se janë marrë me kontrabandë të emigrantëve. Gjatë aksionit , janë konfiskuar edhe pajisje të shumta për falsifikimin e dokumenteve, vula të ndryshme, armë ilegale dhe substancë narkotike. Të arrestuarit janë kapur në Mitrovicë, Vushtrri dhe Podujevë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili vazhdon të jetë prezent pothuaj në çdo konferencë shtypi, kur policia konfirmon arrestime, ka përgëzuar punën e policisë për kapjen e njerëzve të krimit, duke përsëritur edhe një herë se kjo është me rëndësi edhe për procesin e liberalizimit të vizave.
“Për mua shumë e rëndësishme është kur shkatërrohen grupet kriminale, prandaj aksionet e fundit janë në atë drejtim. Ky është një kontribut drejt plotësimit të kushteve për procesin e liberalizimit të vizave, sidomos në fushën më të ndërlikuar që ka të bëjë me krimin e organizuar”, ka thënë Rexhepi.
Ndërkaq, drejtori i policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka thënë se aktivitetet e fundit të policisë së Kosovës në goditjen e krimit të organizuar, tregon seriozitetin e policisë për ofrimin e sigurisë dhe luftimin e krimit të organizuar.
Ndërkaq, Shaban Guda, drejtor i Departamentit të Kufirit, ka thënë se të arrestuarit kanë qenë të përfshirë në një grup i cili ka bërë kontrabandë me emigrantë. Ai bëri të ditur se të arrestuarit janë shtetas të Kosovës, dhe arrestimet kanë ndodhur në qytetin e Mitrovicës, Vushtrrisë, dhe të Podujevës. Ky grup kriminal, sipas tij, ka pasur bazat edhe në shtete e tjera të Evropës.
“Njësia e hetimeve ka arritur me sukses që t’i arrestojë nëntë persona, të arrestoj një grup shumë të organizuar dhe të sofistikuar që janë marr me kontrabandën e emigrantëve, me dokumente të falsifikuara, si dhe kontrabandë ta armëve dhe municionit. Ky grup ka bërë kryesisht kontrabandë të emigrantëve nga shtetet e Azisë dhe Afrikës”, ka thënë Guda.
Ditë më parë, Policia e Kosovës kishte konfiskuar një laborator të sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve dhe një sasi të konsiderueshme të substancave narkotike etj., transmeton Kosovapress. /kohaislame